Nur Asena Ertürk
01 Shkurt 2023•Përditësim: 01 Shkurt 2023
Gjatë 10 viteve të fundit, numri i të pastrehëve në Francë është rritur më shumë se dyfish, njoftoi sot Fondacioni "Abbe Pierre", transmeton Anadolu.
Sipas një raporti nga Fondacioni "Abbe Pierre", në vitin 2022 Franca kishte rreth 330 mijë të pastrehë. Këtu përfshihen njerëzit që jetojnë në rrugë, strehimoret e urgjencës ose qendrat e azilit.
Drejtori i studimit të grupit, Manuel Domergue në një konference për media tha se 200 mijë njerëz jetojnë në strehimore emergjente, 110 mijë janë emigrantë në qendrat e pritjes dhe azilit dhe 27 mijë jetojnë në rrugë, metro, në automjete ose në tenda, sipas së përditshmes "Le Figaro".
Kjo shifër u rrit me 130 për qind që nga viti 2012, tha grupi, duke iu referuar studimit të fundit të bërë nga Instituti Kombëtar Francez i Statistikave dhe Studimeve Ekonomike (INSEE).
Gjithsej 12.1 milionë njerëz përballen me pasiguri akomodimi, veçanërisht për shkak të rritjes së çmimeve të qirasë dhe ngrohjes.
Fondacioni shprehu shqetësim për rritjen e numrit të grave shtatzëna ose nënave të pastreha dhe fëmijëve të tyre.
Më 5 dhjetor në Paris, autoritetet nuk arritën të strehonin 122 fëmijë nën moshën 3-vjeç, prindërit e të cilëve deklaruan në shërbimet lokale se nuk mund të kujdeseshin për ta. Autoritetet në mbarë vendin në të njëjtën ditë nuk arritën të strehojnë 5.000 persona, përfshirë 1.346 fëmijë që kontaktuan strehimoret e urgjencës, thuhet në raport.