Ömer Aydın
20 Mars 2018•Përditësim: 20 Mars 2018
PARIS (AA) - Ish-presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, është ndaluar nga autoritetet në kuadër të një hetimi preliminar mbi pretendimet se gjatë fushatës zgjedhore presidenciale në vitin 2007 ka marrë mbështetje financiare nga lideri libian i asaj kohe, Muammar Gaddafi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas një lajmi në gazetën Le Mone, Sarkozy është ndaluar nga policët e Byrosë së Antikorrupsionit në orët e mëngjesit në Nanterre të Parisit.
Sipas gazetës, Sarkozy, i cili ishte kthyer nga Dubai ku kishte marrë pjesë në një konferencë dhe i cili përgatitej të udhëtonte në kryeqytetin britanik Londër, është ndaluar pas pretendimeve se fushatën zgjedhore presidenciale në vitin 2007 e ka zhvilluar me para të dërguara nga Gaddafi.
Në vitin 2016, biznesmei Ziad Takieddine kishte thënë se në fund të vitit 2006 i ka sjellë Sarkozyt pesë milionë euro nga Libia. Kjo deklaratë kishte konfirmuar atë të ish-drejtorit të inteligjencës ushtarake të Libisë Abdullah Sennusi në vitin 2012.
Shukri Ghanem, ish-ministër i Naftës i Libisë, në vitin 2012 kishte humbur jetën në mënyrë të dyshimtë, kurse në një shënim të gjetur në të tregohej se Sarkozyt i është dërguar çantë me para.
Edhe Bashir Saleh, i cili tregohet si person që kishte mundësuar marrëdhëniet mes Gaddafit dhe Francës dhe i cili para do kohe është plagosur në një sulm të armatosur në Johannesburg të Afrikës së Jugut, ka thënë se "Gaddafi e ka financuar Sarkozyn".
"Sarkozy e ka pohuar të kundërtën. Unë më shume e konsideroj të besueshëm Gaddafin sesa Sarkozyn", kishte theksuar ai.
Ndryshe, Sarkozy ka shërbyer si ministër i Brendshëm i Francës në periudhën 2002-2004 dhe 2005-2007, ndërsa më 2007 ishte zgjedhur president, duke e lënë mbrapa kandidaten socialiste Segolene Royal. Ai ka ushtruar detyrën e presidentit nga viti 2007 deri në vitin 2012.