Ekip
06 Tetor 2022•Përditësim: 07 Tetor 2022
Të paktën një në 10 pika të karburantit në Francë ballafaqohet me mungesë derivatesh të mërkurën, ku si pasojë u krijuan radhë të gjata, njoftuan mediat lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).
Gazeta "Ouest-France" njoftoi se zbritjet, problemet e furnizimit për shkak të grevave dhe blerja e rezervave nga shoferët në panik janë disa nga arsyet kryesore të mungesës.
"Rreth 12 për qind e pikave të karburantit kanë probleme me të paktën një lloj derivati ndërsa situata ndryshon sipas rajonit", u tha gazetarëve zëdhënësi i qeverisë, Olivier Veran pas takimit të Këshillit të Ministrave të mërkurën.
Në rajonin Hauts-de-France, janë prekur rreth 30 për qind e pikave të karburantit.
Lideri i tregut francez, kompania “TotalEnergies” tha se mungesa është si rezultat i rënies së çmimeve.
"Zbritja prej 20 cent për litër iu shtua zbritjes prej 30 cent për litër të qeverisë për të gjitha pompat 'TotalEnergies'. Kjo trazoi shoferët të cilët nxituan drejt pikave të karburantit", tha kompania.
Situata në pikat e karburantit është përkeqësuar ndjeshëm nga greva për paga më të larta në gjashtë nga 8 rafineritë franceze që filloi më 27 shtator.
Veran hodhi poshtë termin "mungesë karburanti", duke theksuar se bëhet fjalë për probleme në disa pika karburanti duke shtuar se nuk ka arsye për panik.
"Për t'u kthyer situata sa më shpejtë në normalitet në veri të vendit sot janë liruar rezervat e ashtuquajtura 'strategjike' për plotësimin e pikave të karburantit", njoftuan autoritetet e rajonit Hauts-de-France.