Onur Usta
19 Gusht 2016•Përditësim: 20 Gusht 2016
PARIS (AA) – Numri i turistëve që vizitojnë Francën ka rënë për 4.8 përqind në tremujorin e dytë të vitit, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti Kombëtar i Statistikave në Francë (INSEE), numri i turistëve që kanë vizituar Francën në tremujorin e dytë të vitit 2016 ka shënuar rënie për 4.8 përqind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Sipas shifrave të INSEE-së, shihet se rënie më të theksuar ka veçanërisht në numrin e turistëve që vijnë për kamping. Ndërsa numri i turistëve që vendosen në hotele është zvogëluar për 8.5 përqind, numri i turistëve vendas ka rënë për 2.9 përqind. Ndërkaq, numri i turistëve në tremujorin e parë të vitit kishte shënuar rritje për 1.1 përqind.
Po ashtu, në tremujorin e dytë të vitit është zvogëluar edhe fluksi i turizmit në Paris. Numri i turistëve që kanë qëndruar në kryqytet ka shënuar rënie për 12.9 përqind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Paraprakisht, ishte vënë në pah se për shkak të grevës në Air France në periudhën 27-31 korrik kishte shkaktuar që dy aeroportet e Parisit të humbin 145 mijë udhëtarë.
Franca, e cila po kalon ditë të vështira në fushën e turizmit pas sulmeve terroriste, ka dhënë përpjekje të shumta për të vazhduar të jetë qendër turistike atraktive ndërkombëtarisht. Edhe krahas kësaj, është reflektuar rënie e madhe në numrin e udhëtarëve që vijnë nga Lindja e Largët.
Sipas të dhënave të publikuara nga “Paris Aeroports”, përgjegjës për menaxhimin e aeroporteve në Paris, numri i turistëve që vijnë zbresin nga Afrika në Paris pas sulmeve terroriste ka shënuar rënie për 7 përqind, ndërsa përqindja e njëjta për shtetet e Lindjes së Mesme ka qenë 4.6 përqind dhe për Amerikën Latine 2.5 përqind.
Ndërkaq, numri i turistëve nga Lindja e Largët ka rënë për 9.4 përqind ndërsa i atyre nga Amerika Veriore për 0.5 përqind.
Kohëve të fundit, Franca po ua hap dyert turistëve japonezë dhe kinezë duke organizuar fushata të ndryshme, megjithatë, theksohet se pas sulmeve terroriste ata nuk e parapëlqejnë Francën.