Giovanni Legorano
20 shtator 2023•Përditësim: 21 shtator 2023
Europol ka bërë të ditur se policia kombëtare franceze ka arrestuar 13 persona të dyshuar si pjesë e një rrjeti kriminal që kontrabandonte makina luksoze nga Evropa në Afrikën Perëndimore, transmeton Anadolu.
Sipas njoftimit nga Eropol, arrestimet janë rezultat i një hetimi ndërkombëtar në vitin 2021, i cili identifikoi "një strukturë kriminale të madhe, të lëvizshme dhe fleksibël, që përbëhej kryesisht nga shtetas francezë, gambianë dhe senegalezë".
Autoritetet thanë se rrjeti kriminal mbështetej në grupe hajdutësh makinash të vendosura në të gjithë Francën. Rrjeti kriminal dyshohet se ka rekrutuar edhe të mitur për t’i çuar në portet e ndryshme evropiane. Nga atje, makinat u fshehën në kontejnerë mallrash dhe u dërguan në Afrikën Perëndimore.
Autoritetet identifikuan mbi 170 makina të modeleve të fundit të transportuara nga portet belge, holandeze, franceze, gjermane dhe spanjolle.
Arrestimet u kryen nga mbi 110 oficerë të policisë franceze, të cilët gjithashtu kontrolluan shtëpi të ndryshme dhe sekuestruan mjete dhe materiale të përdorura për vjedhjen e makinave, dokumente makinash dhe para të gatshme.
"Analiza në kohë reale e disa telefonave celularë të sekuestruar çoi në identifikimin e dy kontejnerëve që mbanin nëntë makina të vjedhura, të cilat u kapën menjëherë në portet Le Havre në Francë dhe Las Palmas në Spanjë", tha Europol.
Hetimi përfshiu autoritetet e zbatimit të ligjit nga Franca, Gjermania, Holanda, Spanja dhe Suedia, si dhe u mbështet nga Europol dhe Interpol.