Fatih Hafız Mehmet
10 Korrik 2019•Përditësim: 10 Korrik 2019
Franca mohoi të ketë furnizuar me raketa forcat besnike të komandantit Khalifa Haftar në lindje të Libisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Haftar komandon me forcat besnike të qeverisë rivale të bazuar në lindje të Libisë.
Sipas raportimeve të mediave sot, forcat e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar në Libi të njohur nga OKB-ja me seli në Tripoli, ka konfiskuar katër raketa franceze pas pushtimit të një kampi të forcave të Haftarit në qershor.
Ministria franceze e Mbrojtjes, përmes një deklarate njoftoi se raketat anti-tank "Javelin" ishin të destinuara për "vetë-mbrojtje" të forcave franceze të stacionuara për kundër-terrorizëm, duke konfirmuar praninë e forcave franceze në territorin libian.
Megjithatë, deklarata shtoi se raketat "nuk janë transferuar tek forcat lokale".
Raketat ishin "të dëmtuara dhe të papërdorshme", shtoi ministria.
Në fillim të prillit, Haftar nisi një fushatë të gjerë për pushtimin e kryeqytetit, por forcat e tij nuk arritën objektivin e tyre parësor, megjithëse morën disa qytete dhe qyteza strategjike në afërsi.
Libia është zhytur në trazira që nga viti 2011 kur pas një kryengritjeje të përgjakshme, të mbështetur nga NATO-ja, çoi në rrëzimin dhe më pas edhe vrasjen e presidentit Muamar Gadafi, i cili sundoi vendin për katër dekada.
Që atëherë, ndarjet politike në vend kanë nxjerrë dy qeveri rivale, një në Tobruk dhe tjetra në Tripoli, si dhe shkaktoi krijimin e një sërë grupesh me armatim të rëndë.