Ekip
20 Gusht 2020•Përditësim: 21 Gusht 2020
Përkundër grushtit të shtetit në fillim të kësaj jave në Mali, Franca do të vazhdojë operacionin e saj kundër militantëve terroristë në rajonin e Sahelit të këtij vendi të Afrikës Perëndimore, tha ministrja franceze e Mbrojtjes, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Operacioni 'Barkhane', i kërkuar nga malianët dhe i autorizuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, vazhdon”, tha Florence Parly në Twitter.
"Ushtarët francezë, në bashkëpunim me partnerët evropianë dhe sahelianë, vazhdojnë ta kryejnë misionin e tyre me profesionalizëm, në të mirë të sigurisë së të gjithëve”, shtoi Parly.
Mali u ballafaqua me një grusht shteti të martën pasi forcat e armatosura arrestuan presidentin Ibrahim Boubacar Keita dhe kryeministrin Boubou Cisse.
Koloneli i ushtrisë, Assimi Goita, sot e shpalli veten president të juntës ushtarake.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së, Bashkimi Evropian, Bashkimi Afrikan dhe SHBA e kanë dënuar grushtin e shtetit dhe kanë kërkuar lirimin e Keita-s dhe Cisse-s.
Të mërkurën, presidenti Emmanuel Macron tha në Twitter: "Në Mali, pushteti duhet t'u kthehet civilëve dhe duhet të vendosen gurë kilometrikë për kthimin në rendin kushtetues. Presidenti Keita, kryeministri i tij dhe anëtarët e qeverisë duhet të lirohen pa vonesë dhe siguria e tyre duhet të garantohet”.
Grushti i shtetit erdhi pas disa muajve kaos me protesta në gjithë vendin. Goita përflitet se është forca shtytëse prapa grushtit të shtetit.
Në Mali, Franca ka kryer operacionin “Serval” që nga janari i vitit 2013, i ndjekur nga operacioni “Barkhane” në Sahel, pjesën veriore të Afrikës ku shtrihet Mali, që nga 1 gushti i vitit 2014.
Rreth 5.000 trupa janë instaluar në rajon si pjesë e përpjekjes ushtarake të Francës atje, të vendosur në kryeqytetin e Çadit N'Djamina. Ata kanë realizuar operacione me bashkëpunimin e G5 Sahelit, pesë vendeve të Afrikës Perëndimore, Nigerit, Çadit, Burkina Fasos, Mauritanisë dhe Malit.
Rajoni është përballur me një kërcënim të konsiderueshëm terrorist vitet e fundit, pasi Boko Haram dhe grupi militant al-Queda në Magribin Islam (AQIM) kanë ruajtur një prani atje, si dhe në vendet fqinje.
Gjashtë shtetas francezë u vranë në Sahel të hënën e kaluar nga një pritë terroriste pranë kryeqytetit të Nigerit. Njëzet civilë janë vrarë në zonë këtë në muajin maj.