Franca dërgon aeroplanmbajtëse në Lindjen e Mesme
Presidenti francez, Emmanuel Macron tha se aeroplanmbajtësja bërthamore do të dërgohet në rajon për të mbështetur operacionet ushtarake franceze deri në muajin prill

Ankara
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka njoftuar se Franca do të dërgojë aeroplanmbajtësen "Charles de Gaulle" në Lindjen e Mesme për të mbështetur operacionet ushtarake në rajon, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Aeroplanmbajtësja bërthamore do të dërgohet për të mbështetur operacionet 'Chammal' deri në muajin prill", tha Macron në fjalimin e Vitit të Ri para ushtrisë franceze në qytetin Orleans.
Ai tha se aeroplanmbajtësja gjithashtu do të përdoret në operacionet e përbashkëta me shtetet evropiane, duke theksuar rrezikun në rritje nga DEASH-i.
Pas sulmeve terroriste të lidhura me DEASH-in në Paris në vitin 2015 ku u vranë 130 persona, në Mesdheun Lindor u dërgua aeroplanmbajtësja "Charles de Gaulle" me një njësi që zakonisht përfshin 24 avionë luftarakë të tipit Rafale. Vitin e kaluar, aeroplanmbajtësja u dërgua në Detin e Kinës Jugore.
Franca filloi operacionin "Chammal" më 19 shtator të vitit 2014 në përpjekje për të kundërshtuar zgjerimin e DEASH-it dhe mbështetjen e ushtrisë irakiane dhe koalicionit. Operacioni më vonë u zgjerua për të përfshirë kërcënimin e DEASH-it në Siri.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.