Şeyma Erkul Dayanç
30 Prill 2026•Përditësim: 30 Prill 2026
Franca paralajmëroi se bota po bëhet “më e rrezikshme”, duke përmendur luftën e Rusisë në Ukrainë, tensionet me SHBA-në dhe praktikat tregtare të Kinës ndërsa bëri thirrje për forcimin e sovranitetit evropian dhe përshpejtimin e veprimeve në nivel të BE-së, transmeton Anadolu.
“Po hyjmë në një botë më të rrezikshme. Kërcënimi nga Rusia dhe lufta e saj agresive kundër Ukrainës në pragun tonë, agresiviteti tregtar i Kinës dhe SHBA-ja që po na kthen shpinën dhe ndonjëherë po na shënjestron”, tha ministri francez për Çështjet Evropiane, Benjamin Haddad, për televizionin "France 2".
Haddad iu referua tensioneve të lidhura me Grenlandën si një shembull i përkeqësimit të marrëdhënieve me Washingtonin. “E pamë këtë me episodin e Grenlandës”, tha ministri francez.
Ai theksoi se këto zhvillime nxjerrin në pah nevojën që Evropa të mbrojë interesat e saj dhe të investojë në sovranitet, si në nivel kombëtar, ashtu edhe në atë të Bashkimit Evropian.
“Përfundimet që duhet të nxjerrim janë të mbrojmë interesat tona, të jemi të fortë dhe të investojmë në sovranitetin tonë, si në nivel kombëtar, ashtu edhe evropian”, tha ai duke shtuar se Franca po e promovon këtë mesazh brenda Evropës.
Haddad përmendi masat financiare të BE-së, përfshirë një iniciativë kredie prej 150 miliardë eurosh, duke thënë se blloku duhet të përshpejtojë reagimin. "Do të ecim përpara, do të përshpejtojmë”, tha ai duke shtuar se Evropa duhet “të dëgjojë dhe të nxjerrë përfundime".