İlkay Guder
10 Mars 2017•Përditësim: 10 Mars 2017
MOSKË (AA) - Ka filluar takimi mes presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, i cili qëndron për vizitë në kryeqytetin e Rusisë, Moskë dhe Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, raporton Anadolu Agency (AA).
Putin dhe presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan dolën me deklarata para takimit kokë më kokë në Pallatin e Kremlinit.
Presidenti Erdoğan, duke theksuar se hapat që do të hedhin me Rusinë në fushën e ekonomisë, tregtisë, ushtarake, industrinë e mbrojtjes dhe në shumë fusha të tjera do të përbëjnë temat kryesore të mbledhjes së Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë, tha se "Takim i Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë ku do të diskutojmë gjerësisht edhe problemet e rajonit, do të shërbejë për rritjen edhe më tej të efektivitetit të vendit tonë në këtë proces".
"Shpreh falënderimet e mia për mikun tim të çmuar. Kemi përjetuar një periudhë pauze kryesisht në takimin e Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë. Por vitin e kaluar jemi takuar në Kongresin Botëror të Energjisë, i cili ka qenë një nxitës shumë i mirë për këtë proces", ka nisur fjalën e tij presidenti Erdoğan.
Ndër të tjera, duke vënë në dukje se bashkëpunimi i Turqisë me Rusinë në fushën e energjisë është shumë ndryshe, Erdoğan tha se ky proces është në vazhdimësi me Rusinë si në fushën e naftës ashtu edhe në atë gazit.
Presidenti i Turqisë ka theksuar se në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve po vazhdojnë me shpejtësi punimet në centralin e energjisë nukleare Akkuyu, dhe kryesisht në "Rrjedhën Turke".
"Rusia dhe Turqia kanë krijuar marrëdhënie të mira dhe efikase"
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka theksuar se janë duke punuar për ngritjen e marrëdhënieve midis Turqisë dhe Rusisë në nivelin që meritojnë, duke shtuar se "Askush nuk ka pritur që autoritetet ushtarake dhe të inteligjencës të Rusisë dhe Turqisë do të krijonin marrëdhënie kaq të afërta".
Putin tha se ndihen të lumtur që marrëdhëniet mes dy shteteve po përmirësohen me një tempo të lartë. Ai rikujtoi se mbledhja e fundit me presidentin Erdoğan në formatin e Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë ishte realizuar në vitin 2014.
"Gjatë kësaj periudhe, ndodhën shumë zhvillime. Jemi duke punuar intensivisht që marrëdhëniet mes Turqisë dhe Rusisë të avancojnë në nivelin që i ka hije", tha Putin.
Ai më tej vuri në pah se kohëve të fundit janë duke vazhduar punën në mënyrë aktive për zgjidhjen e krizave në botë, përfshirë edhe krizën në Siri.
"Rusia dhe Turqia kanë krijuar marrëdhënie të mira dhe efikase në nivel ushtarak dhe atë të institucioneve të inteligjencës. Marrëdhëniet po përmirësohen në mënyrë të shpejtë. Moska është shumë e lumtur për këtë. Jemi duke punuar në mënyrë aktive për ngritjen e marrëdhënieve midis Turqisë dhe Rusisë në nivelin që meritojnë. Askush nuk ka pritur që autoritetet ushtarake dhe të inteligjencës të Rusisë dhe Turqisë do të krijonin marrëdhënie kaq të afërta", vazhdoi presidenti rus Putin.
Marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike
Duke theksuar se marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare mes Turqisë dhe Rusisë sërish janë kthyer në rregull, Putin u shpreh se "Kryeministri i Rusisë Dimitriy Medvedev dje e informoi kryeministrin e Turqisë Binali Yıldırım në lidhje me këtë çështje dhe biseduan për hapat që janë duke u hedhur në drejtim të rinormalizimit të marrëdhënieve dypalëshe tregtare."
Po ashtu, ai njoftoi se janë duke vazhduar përgatitjet për realizimin investimeve dhe projekteve të mëdha.
Takimi i cili ka filluar pas dreke me kohën lokale në Pallatin e Kremlinit, do të vazhdojë i mbyllur për mediat.