Ekip
12 Nëntor 2017•Përditësim: 12 Nëntor 2017
ZAMBOANGA CITY (AA) – Liderët nga disa vende të botës sot janë mbledhur në Filipine për të marrë pjesë në Samitin e 31-të të Asociacionit të Kombeve të Azisë Juglindore, raporton Anadolu Agency (AA).
Në samitin me temë “Partneriteti për ndryshime, angazhim i botës”, liderët do të bisedojnë për temat aktuale rajonale dhe globale, mes të cilave janë kërcënimi bërthamor koreano-verior dhe paralajmërimi i fillimit zyrtar të negociatave mbi kodin e sjelljes rreth krizës në Detin Kinës Jugore.
Drejtuesit e vendeve anëtare të ASEAN-it do të diskutojnë edhe për dhunën mbi muslimanët në Mianmar.
Samitin treditor e kryeson presidenti filipinas, Rodrigo Duterte, ndërsa në fund të mbledhjes kryesimin e ASEAN-it e merr Singapori. Kryeministri i Singaporit në fund të fjalimit, të martën, do të prezantojë programin e kryesimit të organizatës, ndërsa më parë paralajmëroi se temat kryesore do të jenë ekonomia digjitale dhe tregtia me internet.
Në margjinat e samitit pritet mbajtja e disa takimeve bilaterale, ku vëmendje më të madhe tërheqin bisedimet e paralajmëruara mes Duterte dhe presidentit amerikan, Donald Trump. Ata zyrtarisht do të takohen nesër, ndërsa takimi i parë i tyre u realizua dje në Vietnam në Samitin e Bashkëpunimit Ekonomik të Azisë-Paqësorit (APEC).