Michael Gabriel Hernandez
28 Tetor 2021•Përditësim: 29 Tetor 2021
Facebook njoftoi se po ndryshon emrin në “Meta”, ndërsa kompania vazhdon të përballet me një mori polemikash në rritje, transmeton Anadolu Agency (AA).
Shefi ekzekutiv Mark Zuckerberg njoftoi ndryshimin në një ngjarje teknologjike të kompanisë, duke vënë në dukje se Meta do të bashkojë aplikacionet dhe teknologjitë e Facebook-ut, si Whatsapp, Instagram, Facebook, dhe divizionin e tij të realitetit virtual “Oculus” në atë që ai e përshkroi si një “metavers”.
“Fokusi i Meta-s do të jetë të sjellë në jetë metaversin dhe të ndihmojë njerëzit të lidhen, të gjejnë komunitete dhe të rritin bizneset”, tha firma në një deklaratë.
“Metaversi do të ndihet si një hibrid i përvojave të sotme sociale në internet, ndonjëherë i zgjeruar në tre dimensione ose i projektuar në botën fizike. Ai do t’ju lejojë të ndani përvoja tredimensionale me njerëzit e tjerë edhe kur nuk mund të jeni bashkë; dhe t'i bëni gjërat së bashku që ju nuk mund t’i bëni në botën fizike”, thuhet më tej.
Ndryshimi i emrit vjen ndërsa kompania përballet me zbulime që janë bërë të njohura si “Facebook Papers”.
Grumbullimi i dokumenteve të zbuluara nga një ish-punonjëse ka ekspozuar raste të përsëritura ku kompania ka injoruar problemet që platformat e saj kanë shkaktuar ose janë përkeqësuar në mbarë botën, nga ankthi dhe depresioni i adoleshencës deri te keqinformimi.
Frances Haugen, ish-menaxherja e produkteve të Facebook-ut, e kthyer në kritike, që zbuloi dokumentet e brendshme në Wall Street Journal, u tha ligjvënësve më 5 tetor se “duhet veprim i Kongresit” për të frenuar firmën.
“Produktet e Facebook-ut dëmtojnë fëmijët, nxisin ndarjen dhe dobësojnë demokracinë tonë. Udhëheqja e kompanisë e di se si t’i bëjë Facebook-un dhe Instagramin më të sigurta, por nuk do të bëjë ndryshimet e nevojshme, sepse ata i kanë vënë fitimet e tyre astronomike para njerëzve”, tha ajo në një dëshmi para Komisionit të Senatit për Tregtinë, Shkencën dhe Transportin.
“Zgjedhjet që bëhen brenda Facebook-ut janë katastrofike për fëmijët tanë, për sigurinë tonë publike, për privatësinë tonë dhe për demokracinë tonë. Dhe kjo është arsyeja pse ne duhet të kërkojmë që Facebook të bëjë ndryshime”, shtoi ajo.