Barry Eitel
10 Mars 2018•Përditësim: 11 Mars 2018
SAN FRANCISCO (AA) – Platforma sociale Facebook bëri të ditur arritjen e marrëveshjes me Warner Music Group, e cila u mundëson përdoruesve të Facebookut të postojnë video muzikore nga artistët e kësaj marke muzikore, pa pasur frikë se të njëjtat do të hiqen nga shkaku i të drejtave autoriale, raporton Anadolu Agency (AA).
Warner është kompania e fundit nga më të mëdhatë, që ka nënshkruar marrëveshje me Facebookun, pasi paraprakisht në dhjetor, një e tillë u arrit edhe me Universal Music Group dhe Sony/ATV Music Publishing.
Warner Music Group përfaqëson një gamë të gjerë artistësh, në mesin e të cilëve Ed Sheeran, Eagles, Jay Z dhe Nina Simone. Sipas marrëveshjes në fjalë, artistët do të përfitojnë honorare për secilën këngë të tyre që do të postohet në Facebook.
“Ekipi në Facebook është duke krijuar një produkt shumë inovativ, që dëshmon për përkushtimin e tij për rritjen e biznesit të muzikës”, deklaroi Eric Mackay, zëvendës president Ekzekutiv i Warnerit për strategji dixhitale.
Sipas tij, marrëveshja në fjalë njeh vlerat të cilat i krijon muzika në rrjetet sociale, ndërkohë që u mundëson muzikantëve të arrijnë audiencat anembanë botës, duke ngjallur debatin e fansave.
Sipas marrëveshjes së nënshkruar, këngët mund të postohen edhe në Instagram, Messenger, WhatsApp dhe platformën virtuale Oculus, që të gjitha pronë e Facebookut.
"Kur Facebooku dhe muzika bëhen bashkë, fitojnë në fuqi për të afruar njerëzit mes tyre”, thuhet në kumtesën e Tamara Hrivnak, shefe e departamentit të Facebookut për partneritet muzikor.
Në vitin 2015 u përhapën disa zëra se Facebook mund të fillojë me një servis të strimingut të ngjashëm me Spotify ose Apple Music, megjithatë, marrëveshja e nënshkruar së fundmi nuk paralajmëron një gjë të tillë.