Büşra Nur Bilgiç
17 Dhjetor 2019•Përditësim: 17 Dhjetor 2019
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se liderët e Turqisë dhe Rusisë në të ardhmen e afërt do të diskutojnë në lidhje me Libinë, raporton Anadolu Agency (AA).
Peskov tha se Turqia dhe Rusia janë në kontakt në lidhje me çështjen e Sirisë.
"Kuptohet, bisedat telefonike dhe takimet e ardhshme dypalëshe me siguri do të adresojnë çëshjen libiane. Çështja e Libisë ka nevojë të diskutohet", tha Peskov.
Ai tha se presidenti rus Vladimir Putin do të vizitojë Stambollin më 8 janar dhe do të përurojë projektin “Rrjedha Turke” (TurkStream) me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan.
"Kjo do të jetë një mundësi e mirë për të diskutuar çështjet aktuale. Për momentin nuk është caktuar ndonjë vizitë ose kontakt tjetër por programi mund të ndryshojë shpejtë", shtoi ai.
Tubacioni i gazit natyror “Rrjedha Turke” ka një kapacitet të përgjithshëm prej 31.5 miliardë metra kub, nga të cilat linja e parë do të ketë një kapacitet prej 15.75 miliardë metra kub gaz rus për konsumatorët turq. Linja e dytë do të transportojë kapacitet tjetër prej 15.75 miliardë metra kub gaz në Evropë përmes Turqisë.