Ekip
11 Korrik 2016•Përditësim: 11 Korrik 2016
SANTO DOMINGO (AA) – Dy tërmete e kanë goditur bregdetin e Ekuadorit mbrëmjen e së dielës, rajon i cili këtë vit u godit nga një tërmet i fuqishëm, njoftoi Instituti për gjeofizikë i këtij vendi, raporton Anadolu Agency (AA).
Autoritetet bënë të ditur se nuk ka të plagosur por se disa personave u është ofruar ndihmë mjekësore meqë ishin në gjendje shoku.
Tërmeti i parë ka qenë 5.9 ballë sipas shkallës së Rihterit dhe ka ndodhur rreth orës 21 sipas kohës lokale, i locuar 24.2 kilometra nga Muisne në provincën Esmeralda.
Tërmeti i dytë ka qenë 6.3 ballë dhe ka pasuar dhjetë minuta pas të parit.
Dy tërmetet janë ndier në kryeqytetin Quito, në distancë prej 153 kilometrash.
Deri më tani nuk ka të dhëna për të plagosur apo dëme materiale.
Një tërmet i fuqishëm prej 7.8 ballë goditi Ekuadorin në prill, duke lënë të vdekur 663 persona ndërsa 29 mijë njerëz mbetën pa kulm mbi kokë.