Ekip
05 shkurt 2021•Përditësim: 05 shkurt 2021
Media të ndryshme dhe burime të të drejtave të njeriut në Egjipt dhe Katar raportuan të enjten në mbrëmje lirimin e gazetarit të Al Jazeera-s, Mahmoud Hussein nga autoritetet egjiptiane, transmeton Anadolu Agency (AA).
Hussein u arrestua në fund të vitit 2016 pasi u kthye në shtëpi në Egjipt nga Katari.
Autoritetet e akuzuan atë për "përkatësi në një grup të jashtëligjshëm" dhe "përhapjen e lajmeve të rreme që synojnë destabilizimin e vendit".
Në disa postime në Twitter, gazetarët e Al Jazeera-s, Jamal dhe Sarah Raafat, gazetari Hossam El-Shorbagy dhe aktivisti i të drejtave të njeriut Gamal Eid raportuan lirimin e Husseinit.
"Qatar Today" në Twitter shkroi se "autoritetet egjiptiane liruan Mahmoud Hussein, një gazetar i Al Jazeera-s, pas një ndalimi administrativ që zgjati më shumë se katër vjet".
Në një deklaratë në Facebook, Observatori Egjiptian për Gazetarinë dhe Median tha se Gjykata Penale e Kajros vendosi të hënën të lirojë Husseinin "me masa paraprake në pritje të hetimeve".
Uebfaqja e lajmeve e opozitës egjiptiane, partia Darb gjithashtu konfirmoi lirimin e tij.
Autoritetet egjiptiane, Al Jazeera, apo familja e Husseinit ende nuk i kanë komentuar raportet.
Al Jazeera zyrtarisht u ndalua në Egjipt pas një grusht shteti ushtarak në vitin 2013 kundër Mohamed Morsit, presidenti i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike.
Lirimi i Husseinit vjen pothuajse një muaj pas një marrëveshjeje për t'i dhënë fund bllokadës 3-vjeçare të Katarit nga Egjipti, Arabia Saudite, Bahreini dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.