Fatjon Cuka
15 Gusht 2018•Përditësim: 15 Gusht 2018
TIRANË (AA) - Në mesin e personave që humbën jetën nga shembja e urës Morandi në Gjenova të Italisë janë edhe dy shqiptarë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati, në një reagim në rrjetet sociale për tragjedinë në Itali shkruan se është një lajm i dhimbshëm humbja e jetës së dy të rinjve shqiptarë, Marjus Djerri dhe Admir Bokrina.
“Në këto momente të trishtuara u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjarëve dhe të afërmve të tyre. Ambasada shqiptare në Itali është në gatishmëri të plotë dhe u ofron mbështetjen dhe ndihmën e shtetit shqiptar familjarëve në këtë çast të rëndë për ta”, shkruan ministri Bushati.
Në lidhje me ngjarjen, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dhe kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, u kanë dërguar mesazhe ngushëllimi autoriteteve italiane.
Kujtojmë se së paku 37 persona kanë humbur jetën gjatë shembjes së urës Morandi në autostradën A10 në Gjenova të Italisë.