Tayfun Salcı
30 Prill 2018•Përditësim: 30 Prill 2018
LONDËR (AA) – Sekretarja britanike e Punëve të Brendshme, Amber Rudd, dorëhiqet pas zbulimit se e kishte mashtruar parlamentin, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ajo është dorëhequr pasi u zbulua se ka keqinformuar parlamentin në lidhje me praktikat për deportimin e emigrantëve. Kryeministrja britanike, Theresa May, ka pranuar dorëheqjen e Rudd.
Rudd, si ministre e Brendshme, ishte në objektiv të opozitarëve për shkak të praktikave të deportimit me forcë të emigrantëve të cilët pas Luftës së Dytë Botërore, duke filluar nga Karaibet, kishin shkuar në vend si punëtorë.
Rudd në lidhje me pretendimet se në praktikat e deportimit ka vendosur objektiva numerike brenda Ministrisë, përpara komisionit hetues parlamentar në lidhje me çështjen kishte mbrojtur veten duke u shprehur se “nuk ka informacione”. Mirëpo ishte zbuluar se praktika është aplikuar me udhëzimin dhe në kuadër të njohurive të Rudd.
Së fundmi në media kishte rrjedhur një letër e Rudd, ku ajo e informonte kryeministren May në lidhje me objektivat e saj numerike në praktikën e deportimit.
Emri i Rudd përmendej në mesin e emrave potencialë për të qenë lider i Partisë Konservatore, e cila ndodhet në pushtet.
Rudd është personi i katërt që ka dhënë dorëheqje që nga muaji nëntor nga qeveria e May. Më parë ishin dorëhequr edhe sekretari britanik i Mbrojtjes, Michael Fallon, zv/kryeministri Damian Green, dhe sekretari britanik i Arsimit, Justine Greening.