AFRİN/STAMBOLL (AA) – Civilët të cilët i janë kthyer jetës normale në fshatrat e pastruara nga terroristët YPG/PKK-së dhe DEASH-it, në kuadër të operacionit "Dega e Ullirit" të Forcave të Armatosure Turke (TSK) dhe Ushtrisë së Lirë Siriane (ULS), theksojnë ndjeshmëritë ndaj tyre nga ana e ushtarëve turk dhe të luftëtarëve opozitarë.
Në fshatin Meryemeyn, i cili u çlirua nga TSK dhe ULS pas përleshjeve me terroristët më 9 mars, me përfundimin e presionit të YPG/PKK-së dhe ofrimin e sigurisë në këtë vend, pamjet e Anadolu Agency (AA) tregojnë se banorët kanë filluar që të dalin nëpër rrugë dhe të hapin vendet e tyre të punës.
İbrahim Hammud, i cili ndodhej në shtëpinë e tij kur fshati Meryemeyn u çlirua, ka hapur përsëri lokalin e tij. Hammud për AA thotë se, “Më shumë se 90 për qind e fshatit ishin civilë. Kur këtu kishte terroristë për dy ditë u realizuan bombardimet, por nuk u goditën shtëpitë. U realizuan gjuajtjet vetëm në pikat e terroristëve përreth shtëpive”.
“Sjellja e ushtarëve turq dhe të trupave të ULS-së ndaj nesh ishin shumë shumë të mira. Do të doja që ata të qëndrojnë gjithmonë këtu dhe të ofrohet rend në vend”, shton ai.
Një tregtar tjetër në fshat, Mahir el-Kasim thotë se tani më është ofruar siguria në vend dhe se gjithçka është normale.

Duke bërë të ditur se përleshjet kanë filluar në mëngjesin e ditës së enjte dhe kanë përfunduar në mbrëmjen e ditës së premte të javës së kaluar, Kasim thekson se, “Qëndruam në shtëpinë tonë. 90 për qind e fshatit nuk e braktisën vendin dhe pritën që ushtria turke dhe ULS-ja ta çlirojë fshatin. Kur PYD/PKK-ja ishte këtu, ishte e ndaluar që ne të dilnim nga fshati. Por tani jemi plotësisht të lirë dhe po sillen shumë mirë me ne”.
“PYD/PKK torturoi ata të cilët nuk janë prej tyre”
Banori nga Afrini, Hasan Biddur, i cili është farmacist në Meryemeyn, tha se, "Nuk u largova nga ky vend. Shumica e fshatarëve qëndruan këtu. Ushtarët turq dhe ULS-ja na trajtuan si vëllezër. Nuk pamë asnjë të keqe ose asgjë që mund të shkaktojë problem te njeriu”.
Duke u shprehur se PYD/PKK-ja torturoi ata të cilët nuk janë prej tyre, Biddur theksoi se ata nuk kanë parë një trajtim të tillë nga ushtria turke ose ULS-ja.
Biddur tha se terroristët kanë pajisur me armë meshkujt duke përdorur dhunë ndaj tyre dhe se kanë kërkuar dokumente për çdo aktivitet, përfshirë edhe tregtinë, gjë për të cilën kanë kërkuar para.
“Këtë moment jemi duke e pritur për dy vite e gjysmë”
Një fshatar tjetër i Meryemin-it, Yamin el-Hacci, u shpreh: “Falenderoj Allahun. Për dy vite e gjysmë jemi duke e pritur këtë moment. Për vite të tëra ishim nën rrethimin e terroristëve. Momentalisht gjithçka është shumë mirë”.
Hacci thotë se ushtria turke dhe ULS-ja po tregojnë mirëkuptim dhe mëshirë të madhe ndaj popullit të rajonit.
“Duke ardhur këtu në mëngjes më pyetën se ku po shkoj. Thashë ‘Do ta hapi dyqanin’. Më thanë ‘Pse nuk e hape deri tani, tani më gjithçka është normale, bëni punën tuaj ashtu siç dëshironi'”, u shpreh Hacci.
Duke theksuar se gënjeshtrat që organizata terroriste ia thotë popullit nuk reflektojnë të vërtetën, Hacci shton se, “Momentalisht gjithçka është në rregull. Kurrë mos i besoni atyre çfarë po flitet. Në të kundërtën këto janë ditë të mira. Jeni në siguri, gjithçka do të bëhet edhe më mirë. Kanë kaluar vetëm katër ditë, por punët tona kanë hyrë në rend. Në asnjë mënyrë nuk kemi parë ndonjë të keqe. Po ndihemi të sigurtë tërë ditën”.
“Pjesëtarët e ULS-së janë të afërmit dhe fqinjët tanë”
Një tregtar tjetër i quajtur Mazin Hac Hasan thotë se, “Pas çlirimit të fshatit, menjëherë në mëngjes e hapa dyqanin. Sepse e di që ata që kanë ardhur janë njerëzit tanë. Ishin njerëzit tanë. Pjesëtarët e ULS-së janë fëmijët e xhaxhaut e të hallës, kushërinjt, të afërmit e fqinjët tanë”.
Ai tregon se një ditë pas çlirimit të Meryemeyn-it nga terroristët, menjëher rrugët janë mbushur me njerëz dhe se ata janë kthyer në jetën e tyre normale.
“Në asnjë mënyrë nuk e reflektojnë të vërtetën fjalët e thurrura në Afrin dhe përreth se 'Do t’ju vrasin'. Në asnjë mënyrë nuk ka një gjë të tillë. Edhe shokëve të mi në Afrin i'u thashë që të mos shqetësohen dhe mos të frikësohen fare. Këtu kurdët trajtohen shumë mirë. Nuk ka asnjë diskriminim”, shpjegon Mazin.
Mazin thotë se fshatarëve përreth u kanë treguar se nuk kanë nevojë që të frikësohen. Ai shton se në fillim të operacionit punët e tij nuk shkonin aq mirë, meqë nuk mund të shkonte në qytet për shkak të mbylljes së rrugës së Afrinit, por shpjegon se tani gjithçka është duke ecur mirë.
"Jemi shumë të lumtur me trajtimin e ushtarëve turq dhe të ULS-së”
Poashtu edhe Ahmed el-Ali, pronar i një lolali në Meyremeyn thotë se, “Për dy vite e gjysmë po presim që ULS-ja të vijë këtu. U gëzuam shumë dhe u relaksuam. Ne dhe kurdët jemi vëllezër, nuk kemi asnjë dallim. Allahu nuk na quajti neve si kurdë apo arabë, na quajti “O njerëz”, ndërsa profeti ynë i'u dërgua gjihë universit, e jo arabëve ose kurdëve”.
“Jemi shumë të lumtur me trajtimin e ushtarëve turq dhe të ULS-së. Na shpërndanë bukë këtu. Më parë këtu kishte një organizatë diktatorësh”, thotë Ahmed el-Ali, duke shtuar se “I ndërprerin rrugët. Kërkonin pasaporta nga qytetarët të cilët dëshironin të shkonin në rajonet e çliruara. Kërkonin 100 mijë lira siriane. Pa dallim se ishe arab apo kurd, për të kaluar nga një pikë kontrolli kërkonin 2 mijë lira siriane, si dhe nevojitej kartela e vizitës, që kushtonte 10 mijë lira siriane”.
“Gjithçka do të jetë më e bukur”
Muhammed Hacı Hasan, një berber në Meryemeyn, thotë se është shumë i lumtur që ushtria turke dhe ULS-ja kanë pastruar fshatin.

“Shpëtuam nga separatistët. Nuk pamë kurrë një trajtim të keq apo sjellje të keqe nga ushtria turke ose ULS-ja. Gjithçka ishte shumë normale. Me kohë do të vijë edhe më shumë stabilitet dhe gjithçka do të jetë më e bukur”, shprehet Muhammed.
Në operacionin e realizuar nga TSK-ja dhe ULS-ja deri më tani janë pastruar nga terroristët 229 pika, përfshirë 190 fshatra dhe 29 pika kritike.
Qendra e Afrinit përbëhet nga 6 rajone të cilat janë Raxhu, Bulbul, Shejh Hadid, Xhinderes, Sheran dhe Mabatli, ku përveç rajonit Mabatli të gjithë qendrat e këtyre rajoneve ndodhen nën kontrollin e TSK-së dhe ULS-së.
Organizata terroriste YPG/PKK të gjitha përforcimet dhe linjat mbrojtëse i ka në qendrën e qytezës së Afrinit. Ajo ka larguar me forcë civilët drejt qendrës së qarkut që t'i përdorë si mburojë e gjallë.
Nga ana tjetër, kjo organizatë terroriste i bllokon arabët dhe kurdët të cilët dëshirojnë të shkojnë në rajonet e kontrolluara nga regjimi i Bashar al-Asadit dhe luftëtarëve opozitarë. Mbajtja e civilëve ka shkaktuar edhe reagimin e Kombeve të Bashkuara.