Zeynep Hilal Karyağdı Duran
24 Nëntor 2021•Përditësim: 24 Nëntor 2021
Sekretari i Përgjithshëm i Unionit Botëror të Dijetarëve Muslimanë, Ali al-Karadagi tha se dhimbjet e popujve që përpiqen të migrojnë nga vendet e tyre nuk kanë lidhje me fenë por janë vepër e rendit të keq politik në dimension global, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga llogaria e tij në Twitter, Al-Karadagi tërhoqi vëmendjen mbi problemet që përjetojnë emigrantët që presin në kufirin Bjellorusi-Poloni për të migruar në Evropë.
Duke postuar një fotografi ku ndodhen varret pranë njëri tjetrit të 3 emigrantëve nga Jemeni, Siria dhe Iraku që kanë humbur jetën në kufirin Bjellorusi-Poloni, Al-Karadagi tha: "Ata i ndau kufiri, i bashkoi udhëtimi i tyre në kërkim të azilit. Një fotografi që shpjegon dhimbjet e azilit".
"Këto janë nga kryeqytetet dhe qytetërimet më të mëdha të historisë islame, popullata e të cilëve migroi dhe të cilët vdiqën në rrugën e migrimit dhe mërgimit", theksoi Al-Karadagi duke iu referuar Jemenit, Sirisë dhe Irakut.
Ai tha se vuajtjet që këto popuj përjetojnë nuk kanë lidhje me fenë por janë vepër e rendit të keq politik në dimension global.
Qindra persona përshirë irakianë, jemenas dhe sirianë prej disa javësh presin në kushte të vështira jetese në kufirin Bjellorusi-Poloni për të emigruar në Evropë.