Ekip
03 Dhjetor 2021•Përditësim: 06 Dhjetor 2021
Transmetuesi publik gjerman "Deutsche Welle" njoftoi sot se do të pezullojë 4 punonjës dhe një gazetar të pavarur (freelancer) pas një hetimi lidhur me akuzat se kanë shprehur pikëpamje anti-izraelite dhe antisemitiste, transmeton Anadolu Agency (AA).
Gazeta e përditshme e Mynihut "Sueddeutsche Zeitung" këtë javë citoi disa komente në mediat sociale që dyshohet se janë bërë nga anëtarët e servisit arab të DW, duke përfshirë disa të cilat duken se nënvlerësojnë Holokaustin ose përjetësojnë stereotipet anti-hebreje.
DW në një deklaratë theksoi se kërkon hetime të jashtme të pavarura për akuzat. Hetimi do të kryhet nga ish-ministrja gjermane e Drejtësisë, Sabine Leutheusser-Schnarrenberger dhe psikologu Ahmad Mansour.
Transmetuesi, i cili financohet nga qeveria gjermane, tha se të gjithë punonjësit duhet t'u binden vlerave dhe parimeve të DW, të cilat përfshijnë një angazhim të qartë ndaj të drejtës së Izraelit për të ekzistuar dhe refuzon antisemitizmin. Politika zbatohet për llogaritë private të punonjësve në mediat sociale.
DW tha se punonjësit në fjalë do të pezullohen për aq kohë sa zgjasin hetimet dhe se "do të mbajnë menjëherë pasojat e nevojshme" pasi të përfundojë shqyrtimi.