Rabia İclal Turan
09 Tetor 2020•Përditësim: 10 Tetor 2020
Çmimi Nobel për Paqë iu nda këtë vit Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së (WFP) për përpjekjet e tij për të luftuar urinë, njoftoi sot komiteti norvegjez i Çmimit Nobel, transmeton Anadolu Agency (AA).
Me botën në rrezik të një krize urie, komiteti Nobel vlerësoi WFP-në për "veprimin si një forcë shtytëse në përpjekjet për të parandaluar përdorimin e urisë si një armë lufte dhe konflikti".
Kryetarja e komitetit, Berit Reiss-Andersen, tha në një konferencë për media se ata synonin të "kthenin sytë e botës te miliona njerëz që vuajnë nga uria ose përballen me kërcënimin e urisë".
Pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19) ka kontribuar në një ngritje të numrit të viktimave të urisë në të gjithë botën, thonë nga komiteti, duke theksuar shtetet si Jemeni, Republika Demokratike e Kongos, Nigeria, Sudani i Jugut dhe Burkina Faso.
"Përballë pandemisë, Programi Botëror i Ushqimit ka demonstruar një aftësi mbresëlënëse për të intensifikuar përpjekjet e tij. Siç ka thënë vetë organizata: Deri në ditën kur të kemi një vaksinë mjekësore, ushqimi është vaksina më e mirë kundër kaosit", theksojnë nga komiteti.
Komiteti norvegjez i Çmimit Nobel vlerëson se uria dhe pasiguria ushqimore mund të shkaktojnë konflikte, ashtu si konfliktet mund të çojnë në uri dhe pasiguri ushqimore, duke shtuar: "Programi Botëror i Ushqimit luan një rol kryesor në bashkëpunimin multilateral për ta bërë sigurinë ushqimore një instrument të paqes dhe ka bërë një kontribut të fuqishëm drejt mobilizimit të vendeve anëtare të OKB-së për të luftuar përdorimin e urisë si një armë lufte dhe konflikti".
WFP falënderoi komitetin Nobel për çmimin në Twitter: "Kjo është një kujtesë e fuqishme për botën që paqja dhe #ZeroHunger (zero uri) shkojnë dorë për dore".
Çmimi ka një shpërblim prej 10 milionë krona suedeze (1,1 milionë dollarë).
Çmimi Nobel i Paqës i vitit të kaluar iu nda kryeministrit etiopian Abiy Ahmed, për "përpjekjet për të arritur paqen dhe bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për iniciativën e tij vendimtare për të zgjidhur konfliktin kufitar me Eritrenë fqinje".
Fituesit e mëparshëm të çmimit përfshijnë ish-presidentët e SHBA-së Jimmy Carter (2002) dhe Barack Obama (2009), si dhe aktivisten Malala Yousafzai (2014); BE (2012), si dhe OKB dhe Sekretari i Përgjithshëm Kofi Annan në vitit 2001.