Gözde Bayar
25 Dhjetor 2020•Përditësim: 25 Dhjetor 2020
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu ka uruar Helga Schmid, sekretaren e përgjithshme të sapoemëruar të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE), thanë sot burimet diplomatike turke, transmeton Anadolu Agency (AA).
Çavuşoğlu zhvilloi një bisedë telefonike me diplomaten gjermane, thanë burimet, të cilët kërkuan të mbeten anonime për shkak të kufizimeve për t'u prononcuar për media.
Më 4 dhjetor, katër drejtues të lartë, përfshirë Schmid, u emëruan unanimisht nga 57 vendet anëtare të grupit gjatë takimit të 27-të të Këshillit Ministror të OSBE-së në Tiranë të Shqipërisë.
Schmid, ish-sekretare e përgjithshme e Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm, krahu diplomatik i BE-së, është e njohur për aftësitë e saj diplomatike, veçanërisht në nënshkrimin e marrëveshjes bërthamore të Iranit në vitin 2015.
Gjithashtu Maria Teresa Ribeiro, ish-sekretare e shtetit e Portugalisë për Punët e Jashtme, u emërua si përfaqësuese e OSBE-së për lirinë e mediave.
Ish-ministri i Jashtëm i Kazakistanit, Kairat Abdrakhmanov u emërua komisionar i lartë për pakicat kombëtare dhe politikani italian Matteo Mecaci tani kryeson zyrën për institucionet demokratike dhe të drejtat e njeriut.
Turqia është anëtare themeluese e OSBE-së.