Büşra Akın Dinçer
13 Nëntor 2016•Përditësim: 14 Nëntor 2016
LONDËR (AA) – Në shenjë përkujtimi për të gjitha viktimat e të dy luftërave botërore dhe konflikteve të mëvonshme, sot në mbarë Britaninë e Madhe shënohet e "Diela Përkujtimore" (Remembrance Sunday), raporton Anadolu Agency (AA).
Në orën 11:00 sipas kohës lokale, në mbarë Britaninë e Madhe me një heshtje dy minutëshe janë nderuar viktimat e luftërave botërore, ndërsa manifestimi qendror është mbajtur tek përmendorja Cenotaph në Londër, ku manifestime të tilla mbahen tashmë nëntë dekada.
Në shprehjen e nderimit ndaj viktimave gjatë konflikteve të kaluara dhe aktuale në botë morën pjesë drejtuesit më të lartë të Britanisë së Madhe, ndërsa kurorë me lule në përmendoren Cenotaph e para vendosi Mbretëresha Elizabetha II.
Kurorë me lule dorëzuan edhe kryeministrja britanike Theresa May, shefi i diplomacisë britanike, Boris Johnson dhe kreu i Partisë Laburiste, Jeremy Corbyn.
Përkujtimi i këtij viti ndaj viktimave përkon me shënimin e njëqind vjetorit të Luftës së Parë Botërore.