Ahmet Gürhan Kartal
07 Shtator 2020•Përditësim: 08 Shtator 2020
Themeluesi i WikiLeaks Julian Assange është paraqitur në seancën e fundit të çështjes rreth ekstradimit të tij në SHBA, ku ai përballet me akuza të shumta spiunazhi, të cilat mund të çojnë për një kohë të gjatë në burg, raporton Anadolu Agency (AA).
Seanca është caktuar për rreth katër javë në lidhje me akuzat e paraqitura nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së.
Assange do të përballet me 18 akuza për pirateri të kompjuterëve të qeverisë amerikane dhe shkelje të ligjit të spiunazhit nëse ekstradohet në SHBA dhe me mundësinë e një dënim me burg të gjatë.
Ai u tërhoq zvarrë nga ndërtesa e ambasadës së Ekuadorit në Londër vitin e kaluar, ku u strehua për më shumë se shtatë vjet.
Policia britanike tha se ai u arrestua për shkeljen e kushtit të tij në vitin 2012 dhe me kërkesën e SHBA-së për shkak të një urdhri ekstradimi.
Më vonë, ai u gjet fajtor për thyerjen e kushteve të lirimit të tij me kusht në vitin 2012 pasi nuk u dorëzua tek shërbimet e sigurisë, ku Gjykata në Westminster i caktoi burgim 50-javor.
Assange pritej të lirohej më 22 shtator të vitit të kaluar, por ai po mbahet më gjatë për "arsyen themelore" se mund të largohet.
"Nëse ky ekstradim lejohet, ai do të dërgojë një sinjal të qartë se gazetarët dhe botuesit janë në rrezik sa herë që puna e tyre shqetëson qeverinë e Shteteve të Bashkuara", tha Unioni Kombëtar i Gazetarëve në një deklaratë.
WikiLeaks të hënën ka publikuar argumentin e skemës mbrojtëse të Assange në dy pjesë.
Organizata të ndryshme të të drejtave të njeriut dhe grupe të lirisë së fjalës kanë dënuar kërkesën e ekstradimit nga SHBA.
Amnesty International ka thënë se Assange është në rrezik të "shkeljeve serioze të të drejtave të njeriut duke përfshirë kushtet e mundshme të paraburgimit që do të përbëjnë tortura dhe keqtrajtime të tjera" në SHBA.
Ndërkohë, Kristinn Hrafnsson, redaktori i WikiLeaks, u shpreh në Twitter se vëzhguesve nuk u lejohet të ndjekin gjyqin. "Kjo nuk është drejtësi e hapur", tha ai.
Një grup protestuesish, përfshirë babanë e Assange, u mblodhën para Old Bailey për t'u solidarizuar me themeluesin e WikiLeaks.
Nëse ekstradohet në SHBA dhe shpallet fajtor për akuzat, Assange do të përballet me 175 vjet burg.