Selen Valente Rasquinho
16 Nëntor 2023•Përditësim: 17 Nëntor 2023
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell i tha ministrit të Jashtëm izraelit, Eli Cohen se mijëra civilë të pafajshëm, përfshirë fëmijë, humbën jetën në Gaza, transmeton Anadolu.
Borrell foli në një konferencë të përbashkët për media me ministrin e Jashtëm, Cohen, të cilin e takoi në kuadër të vizitës së tij në Izrael.
Duke kujtuar se BE-ja dënoi sulmin e Hamasit më 7 tetor, bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të burgosurve dhe mbështeti të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje brenda kornizës së ligjit ndërkombëtar dhe ligjit ndërkombëtar humanitar, Borrell tha: "Megjithatë, Hamasi nuk i përfaqëson palestinezët. Hamasi është tjetër, populli palestinez është tjetër".
"Më lejoni të them se nuk duhet t'i dorëzoheni zemërimit tuaj. Unë mendoj se kjo është ajo që mund t'ju thotë miku më i mirë i Izraelit. Ajo që e dallon një shoqëri të civilizuar nga një organizatë terroriste është respekti për jetën njerëzore. Të gjitha jetët njerëzore kanë të njëjtën vlerë", tha Borrell.
Ai përsëriti thirrjen e tij për pauzë humanitare dhe hapjen e korridoreve për ndihmë. "Një tmerr nuk justifikon tjetrin. Humbën jetën mijëra civilë të pafajshëm, përfshirë fëmijë", theksoi Borrell.