Ahmet Gençtürk
11 Shkurt 2022•Përditësim: 11 Shkurt 2022
Negociatat në kryeqytetin gjerman Berlin midis këshilltarëve politikë të Ukrainës, Rusisë, Francës dhe Gjermanisë në formatin e Normandisë përfunduan pa dhënë ndonjë rezultat konkret, njoftuan sot burime nga Presidenca ukrainase, transmeton Anadolu Agency (AA).
Takimi i dytë i vitit 2022, në të cilin Ukraina u përfaqësua nga Andriy Yermak, kreu i Zyrës së presidentit, zgjati mbi nëntë orë, thuhet në deklaratën e Presidencës ukrainase.
Ukraina ka përsëritur angazhimin e saj për zgjidhje politike dhe diplomatike të tensioneve. Yermak tha se vendi do të vazhdojë të marrë masa për të intensifikuar punën e të gjitha formateve ekzistuese të negociatave në mënyrë që të lehtësojë procesin e paqes.
Të gjitha palët rikonfirmuan vullnetin e tyre për vazhdimin e negociatave në formatin e Normandisë, thuhet në deklaratë, duke shtuar se palët ranë dakord gjithashtu për domosdoshmërinë e zhbllokimit të punës së Grupit Trepalësh të Kontaktit.
Pjesëmarrësit e tjerë të takimit që përfaqësonin vendet e tyre ishin zëvendës Shefi i Kabinetit të Kremlinit, Dmitry Kozak, këshilltari kryesor për politikën e jashtme të kancelarit gjerman Olaf Scholz, Jens Ploetner dhe këshilltari diplomatik i presidentit francez Emmanuel Macron, Emmanuel Bonne.
Takimi i mëparshëm i formatit të Normandisë u mbajt dy javë më parë në Paris, që ishte edhe takimi i parë i tillë i këshilltarëve politikë pas më shumë se një viti pauzë, mes tensioneve në rritje në rajon.
Kohët e fundit Rusia grumbulloi mbi 100 mijë trupa në kufirin e saj perëndimor me Ukrainën, duke nxitur frikën në Perëndim për një pushtim.
Moska ka mohuar se po përgatitet për invazion duke pretenduar se trupat e saj janë atje për stërvitje.
Kremlini i lëshoi Perëndimit një listë të kërkesave të sigurisë, përfshirë kthimin prapa të dislokimeve të trupave në disa shtete ish-sovjetike dhe garanci që Ukraina dhe Gjeorgjia nuk do të anëtarësohen në NATO.
Ukraina është përfshirë në konflikt në rajonet e saj lindore që nga marsi i vitit 2014 pas pushtimit rus dhe aneksimit të Krimesë.