Servet Günerigök
02 Shtator 2022•Përditësim: 03 Shtator 2022
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden kritikoi paraardhësin e tij republikan Donald Trump dhe mbështetësit e tij të enjten, duke thënë se "barazia dhe demokracia janë nën sulm" nga ekstremizmi i udhëhequr nga Trump, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Ne duhet të jemi të sinqertë me njëri-tjetrin dhe me veten tonë. Shumë nga ajo që po ndodh sot në vendin tonë nuk është normale", tha presidenti në fjalimin e tij përpara Sallës së Pavarësisë në Filadelfia. “Donald Trump dhe MAGA (Make America Great Again) republikanët përfaqësojnë një ekstremizëm që kërcënon themelet e republikës sonë”.
Ai i referohej sloganit "Make America Great Again" (Bëje Amerikën sërish të madhe) që Trump e përdori në fushatën e tij për garën presidenciale të vitit 2016.
Biden theksoi se jo çdo republikan apo edhe shumica e republikanëve janë MAGA republikanë.
“Jo çdo republikan e përqafon ideologjinë e tyre ekstreme. E di, sepse kam pasur mundësinë të punoj me këta republikanë të zakonshëm", tha Biden.
"Por, nuk ka dyshim se partia republikane sot është e dominuar, e drejtuar dhe e trembur nga Donald Trump dhe MAGA republikanët. Dhe ky është një kërcënim për vendin tonë", tha ai.
Presidenti amerikan tha se “Forcat MAGA janë të vendosura ta çojnë këtë vend mbrapsht, mbrapsht në një Amerikë ku nuk ke të drejtë për zgjedhje, nuk ke të drejtë për privatësi, nuk ke të drejtë për kontracepsion, nuk ke të drejtë të martohesh me atë që do".
Në fillim të gushtit, rezidenca e Trumpit në Mar-a-Lago në Florida u bastis nga FBI-ja, e cila ngjalli reagimet e tij duke e quajtur një "sulm" të paprecedentë dhe të akuzonte kundërshtarët e tij politikë për nxitje të sistemit të drejtësisë.
Sipas një dokumenti gjyqësor të paraqitur nga Departamenti i Drejtësisë të martën vonë, në rezidencën e Trumpit u gjetën mbi 100 të dhëna të klasifikuara, përfshirë disa materiale të shënuara me nivelin më të lartë të klasifikimit.