Övünç Kutlu
15 Mars 2021•Përditësim: 15 Mars 2021
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, tha se ai dëshiron të shohë rezultatet e hetimit në akuzat për ngacmim seksual kundër Guvernatorit të New York-ut, Andrew Cuomo, mes thirrjeve në rritje nga ligjvënësit demokratë që ai të japë menjëherë dorëheqje, raporton Anadolu Agency (AA).
"Mendoj se hetimi është duke u zhvilluar dhe ne duhet të shohim se çfarë na sjell", u tha Biden gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, duke komentuar pretendimet rreth guvernatorit demokrat për herë të parë.
Shefi i Kabinetit i Shtëpisë së Bardhë, Ron Klain, më vonë tha se akuzat kundër Cuomo-s "duhet të hetohen dhe ai proces duhet të vazhdojë rrjedhën e tij", ndërsa sekretarja e shtypit Jen Psaki javën e kaluar në brifing përmendi hetimin e pavarur të Prokurores së Përgjithshme të New York-ut, Letitia James.
Demokratët e shumtë të Kongresit nga New York të premten i bënë thirrje Cuomo-s të japë dorëheqje për shkak të akuzave për ngacmim seksual nga gjashtë gra, përfshirë ndihmëset e tij.
Cuomo në mënyrë të përsëritur ka mohuar të gjitha akuzat duke shtuar se "Nuk ka mundësi të jap dorëheqje".