Michael Gabriel Hernandez
11 Nëntor 2022•Përditësim: 11 Nëntor 2022
Presidenti ameikan Joe Biden dhe homologu i tij egjiptian, Abdel Fattah El-Sisi, pas takimit të tyre theksuan "angazhimin e tyre të ndërsjellë të shumëanshëm të partneritetit strategjik SHBA-Egjipt", transmeton Anadolu Agency (AA).
Shtëpia e Bardhë në një deklaratë tha se Biden dhe El-Sisi u takuan në margjinat e konferencës së OKB-së për klimën, e cila po mbahet në qytetin turistik të Egjiptit, Sharm el-Sheikh, gjatë së cilës liderët "konfirmuan angazhimin e tyre për përshpejtimin e përpjekjeve globale për të trajtuar krizën klimatike".
“Presidenti Biden shprehu solidaritetin e SHBA-së me Egjiptin përballë sfidave globale ekonomike dhe të sigurisë ushqimore të shkaktuara nga lufta e Rusisë ndaj Ukrainës, si dhe mbështetjen e tij për të drejtat e Egjiptit për ujin”, thuhet në deklaratë, duke iu referuar me gjasë mosmarrëveshjes rajonale midis Egjiptit dhe Etiopisë mbi digës etiopiane që mund të kufizojë pjesën e Egjiptit në ujërat e lumit Nil.
Në deklaratë thuhet se Biden "ngriti më tej rëndësinë e të drejtave të njeriut dhe respektimin e lirive themelore. Të dy udhëheqësit u konsultuan gjithashtu mbi sfidat e sigurisë rajonale, mundësitë për të ulur tensionet në konfliktet, si dhe partneritetin dhjetëvjeçar të mbrojtjes SHBA-Egjipt".
Vizita e presidentit amerikan është e para e tij në Egjipt që nga marrja e detyrës në janar 2021.
Pas samitit COP27, Biden do të udhëtojë në Phnom Penh, Kamboxhia nga 12-13 nëntor për të marrë pjesë në Samitin vjetor SHBA-ASEAN dhe Samitin e Azisë Lindore.