Diyar Güldoğan
26 Shtator 2019•Përditësim: 26 Shtator 2019
Bashkimi Evropian (BE) ka përshëndetur njoftimin e marrëveshjes për formimin e Komitetit Kushtetues të Sirisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
"BE ka pohuar vazhdimisht se çdo zgjidhje e qëndrueshme e konfliktit kërkon tranzicion të mirëfilltë politik siç përshkruhet në rezolutën nr. 2254 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Komunikatës së Gjenevës së vitit 2012 të negociuar nga palët siriane në kuadër të procesit të Gjenevës të udhëhequr nga OKB", thuhet në një njoftim të lëshuar nga zyra e përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme, Federica Mogherini.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, të hënën njoftoi formimin e një organi i cili do të shkruajë kushtetutën e re të Sirisë pas luftimeve që zgjatën për më shumë se tetë vite.
Guterres tha se Komiteti Kushtetues mund dhe duhet të jetë fillimi i procesit politik për t'i dhënë fund konfliktit.
"Prandaj, BE pret mbajtjen e mbledhjes inauguruese të komitetit sa më shpejtë të jetë e mundur dhe nga afër do të monitorojë zhvillimet pas kësaj. Ky është një hap i qartë përpara dhe një hap që pa dyshim është plot potencial", thuhet në njoftim.
BE gjithashtu ka theksuar nevojën urgjente për zhvillime pozitive paralelisht me punën e Komitetit Kushtetues.
"Për të rikujtuar, BE do të jetë e gatshme të ndihmojë në rindërtimin e Sirisë, kur përfundimisht do të zhvillohet një tranzicion politik gjithëpërfshirës, i vërtetë dhe inkluziv, në korniza të Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB nr. 2254 dhe të procesit të Gjenevës", thuhet më tej në njoftim.
BE gjithashtu ka shprehur vullnetin për të mbështetur në çfarëdo mënyre të mundshme zhvillimin e një procesi paqësor në Siri, në bashkëpunim dhe koordinim të afërt me të dërguarin special të OKB-së në Siri, Geir Pedersen.
Siria është përfshirë nga një luftë shkatërruese civile që nga fillimi i vitit 2011, kur regjimi i Bashar al-Asadit ushtroi dhunë për të shtypur protestat pro-demokratike.
Sipas të dhënave të OKB-së, që atëherë qindra mijëra civilë janë vrarë dhe më shumë se 10 milionë të tjerë janë zhvendosur.