BE-ja propozon heqjen e vizave për Katarin dhe Kuvajtin
Nëse propozimi pranohet nga Parlamenti Evropian dhe vendet anëtare të BE-së, "shtetasit e Katarit dhe Kuvajtit që mbajnë pasaporta biometrike nuk do të kenë më nevojë për vizë kur udhëtojnë në BE për qëndrime të shkurtra"

Bruksel
Komisioni Evropian propozoi sot heqjen e vizave për qytetarët e Katarit dhe Kuvajtit që udhëtojnë në Bashkimin Evropian (BE), raporton Anadolu Agency (AA).
Nëse propozimi pranohet nga Parlamenti Evropian dhe vendet anëtare të BE-së, "shtetasit e Katarit dhe Kuvajtit që mbajnë pasaporta biometrike nuk do të kenë më nevojë për vizë kur udhëtojnë në BE për qëndrime të shkurtra", theksoi organi ekzekutiv i BE-së në një deklaratë për shtyp.
Heqja e vizave do të lejojë qytetarët e të dy vendeve të qëndrojnë në BE për qëllime biznesi, turizmi ose familjare deri në 90 ditë në çdo periudhë 180-ditore.
"Propozimi ynë për të hequr kërkesat e vizave për shtetasit e Katarit dhe Kuvajtit është një hap i parë për ta bërë më të lehtë për njerëzit nga i gjithë rajoni të udhëtojnë në Bashkimin Evropian", tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
Ai shtoi se "objektivi përfundimtar i BE-së është të sigurojë koherencë rajonale dhe në fund të arrijë udhëtimin pa viza për të gjitha vendet e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit".
Nëse vendet anëtare të BE-së dhe Parlamenti Evropian miratojnë heqjen e vizave, BE-ja do të negociojë marrëveshjet përkatëse për udhëtimin reciprok pa viza me Katarin dhe Kuvajtin.
BE-ja u jep qytetarëve të më shumë se 60 vendeve udhëtim pa viza për të hyrë dhe qëndruar në zonën Shengen për 90 ditë brenda çdo periudhe 180-ditore.