Mohammad Sıo
30 Prill 2026•Përditësim: 30 Prill 2026
Bashkimi Evropian ka nisur një program për të mbështetur viktimat e sulmeve nga okupuesit izraelitë në Bregun Perëndimor të pushtuar, që synon të ofrojë mbrojtje parandaluese për palestinezët, raportoi të enjten agjencia zyrtare palestineze e lajmeve Wafa, transmeton Anadolu.
Njoftimi u bë nga Përfaqësuesi i BE-së në Palestinë, Alexandre Stutzmann, gjatë një vizite të mërkurën nga një delegacion diplomatik i akredituar, i shoqëruar nga Përfaqësuesi Special i BE-së për Procesin e Paqes në Lindjen e Mesme, Christophe Bigot, dhe ambasadorë të huaj në fshatin Al-Mughayyir, në lindje të Ramallahut.
Stutzmann tha se BE-ja i sheh si një "thirrje zgjimi" sulmet nga okupuesit izraelitë kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor.
"Për fat të keq, ne nuk ishim në gjendje të parandalonim këto incidente, por mund të punojmë për të siguruar që ato të mos përsëriten", tha ai.
BE-ja aktualisht po shqyrton "masa të forta politike, së bashku me hapa të tjerë, duke përfshirë nisjen e një programi për mbështetjen e viktimave", si pjesë e përpjekjeve për të frenuar dhunën në rritje në territoret palestineze, shtoi ai.
Iniciativa bazohet në grupe vullnetare në terren për të ndihmuar në mbrojtjen e palestinezëve - megjithëse rolet e tyre të sakta nuk janë sqaruar ende - si dhe në zhvillimin e një sistemi të integruar për të rritur sigurinë civile.
Ky veprim vjen mes thirrjeve ndërkombëtare në rritje për hapa konkretë për të ndaluar sulmet nga okupuesit izraelitë dhe për të siguruar mbrojtjen e civilëve palestinezë.
Më 21 prill, Ministria palestineze e Shëndetësisë raportoi se dy palestinezë, përfshirë një fëmijë, u vranë nga të shtënat e okupuesve izraelitë në Al-Mughayyir.
Dhuna nga okupuesit izraelitë dhe ushtria izraelite në Bregun Perëndimor është përshkallëzuar që nga tetori 2023, duke vrarë të paktën 1.154 palestinezë, duke plagosur mijëra të tjerë dhe duke çuar në gati 22.000 arrestime, sipas të dhënave zyrtare palestineze.