Bota

BE-ja kërkon lirimin e liderit opozitar rus Navalny

Kryetari i Këshillit të BE-së, Charles Michel, shprehu thirrjen e liderëve pas një takimi të krerëve të shteteve dhe qeverive të 27 vendeve anëtare

Ömer Tuğrul Çam   | 22.01.2021
BE-ja kërkon lirimin e liderit opozitar rus Navalny

Bruksel

Udhëheqësit e vendeve të Bashkimit Evropian (BE) kërkuan lirimin e liderit opozitar rus Aleksey Navalny, i cili u arrestua pas kthimit në Moskë nga Gjermania në fund të javës së kaluar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kryetari i Këshillit të BE-së, Charles Michel, shprehu thirrjen e liderëve pas një takimi të krerëve të shteteve dhe qeverive të 27 vendeve anëtare përmes videokonferencës, i cili ishte i fokusuar mbi pandeminë e koronaviursit (COVID-19).

Michel deklaroi se liderët e BE-së presin që Rusia të kryejë hetim urgjent dhe transparent në lidhje me përpjekjen e helmimit kundër Navalny-t.

Ai po ashtu shprehu pritjen që Rusia të bashkëpunojë me Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike në hetim.

Ndryshe, 44-vjeçari Navalny është një kritik i ashpër i presidentit rus Vladimir Putin.

Ai u sëmur në muajin gusht të vitit 2020 gjatë një fluturimi për në Moskë. Pas aterimit emergjent në qytetin siberian Omsk, ai kaloi dy ditë në një spital rus dhe më pas u dërgua në Berlin për mjekim.

Pas testeve në disa laboratorë, zyrtarët gjermanë thanë se Navalny ishte helmuar me agjentin nervor "Novichok", i cili gjithashtu u përdor, sipas qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, në një sulm të vitit 2018 ndaj ish-spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij në qytetin britanik të Salisbury.

Navalny u arrestua më 17 janar menjëherë pas mbërritjes në aeroportin e Moskës nga Gjermania.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın