Bota

"Bashkëpunimi Turqi-Azerbajxhan-Turkmenistan përfitim për rajonin"

"Marrëdhëniet tona të ndërtuara mbi lidhje të veçanta sot janë kthyer në një partneritet gjithëpërfshirës. Ky mekanizëm trepalësh, të cilin ne e filluam në vitin 2014, ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në stabilitetin e rajonit", tha Çavuşoğlu

Gözde Bayar, Jeyhun Aliyev  | 23.02.2021 - Përdıtësım : 24.02.2021
"Bashkëpunimi Turqi-Azerbajxhan-Turkmenistan përfitim për rajonin" Foto: Cem Özdel/AA

Ankara

Në një konferencë të përbashkët me homologun e tij nga Azerbajxhani, Jeyhun Bayramov dhe atë nga Turkmenistani, Rashid Meredov, ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka deklaruar se mekanizmi trepalësh midis Turqisë, Azerbajxhanit dhe Turkmenistani ka dhënë kontribute të rëndësishme në prosperitetin dhe stabilitetin e rajonit, raporton Anadolu Agency (AA).

"Marrëdhëniet tona të ndërtuara mbi lidhje të veçanta sot janë kthyer në një partneritet gjithëpërfshirës. Ky mekanizëm trepalësh, të cilin ne e filluam në vitin 2014, ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në prosperitetin dhe stabilitetin e rajonit", tha Çavuşoğlu.

Duke theksuar se takimi me dy homologët e tij në Ankara ka qenë i frytshëm, Çavuşoğlu tha se delegacionet rishikuan hapat që kanë ndërmarrë deri më tani, si dhe shprehën ide dhe propozime të rëndësishme për të ardhmen.

Ai theksoi se Turqia dëshiron të punojë ngushtë me Azerbajxhanin dhe Turkmenistanin në kuadër të iniciativës së saj "Asia Anew", iniciativë të cilën Turqia e nisi në vitin 2019 për të përmirësuar lidhjet me vendet aziatike në zona të ndryshme.

Kryediplomatët e tre vendeve diskutuan dhe po ashtu përcaktuan një udhërrëfyes për një samit të ardhshëm trepalësh midis presidenteve të të tre vendeve, i cili siç njoftoi ministri turk, do të mbahet në Turkmenistan.

Gjatë konferencës për media, Çavuşoğlu po ashtu foli për "konkurrencën brutale" në të gjithë botën për vaksinat kundër koronavirusit të ri (COVID-19).

"Ne do të vazhdojmë solidaritetin tonë si tre vende simotra, përderisa vazhdojmë luftën tonë të përbashkët", tha ai.

"Takim historik"

Ministri azerbajxhanas tha se ata po ashtu patën rastin të diskutojnë ndaras marrëdhëniet dypalëshe midis Azerbajxhanit dhe Turqisë.

"Marrëdhëniet Azerbajxhan-Turqi janë duke u zhvilluar në nivelin më të lartë në të gjitha fushat", tha Bayramov, duke shtuar se lidhjet dypalëshe vazhdojnë të forcohen çdo ditë nën udhëheqjen e presidentëve të të dy vendeve.

Bayramov theksoi se vendi i tij ndjeu "mbështetjen politike dhe morale" të udhëheqjes dhe kombit turk gjatë luftës së fundit 44-ditore me Armeninë mbi territoret e pushtuara të Malësisë së Karabakut.

Përleshjet që shpërthyen më 27 shtator të vitit të kaluar përfunduan me një armëpushim të ndërmjetësuar nga Rusia gati gjashtë vonë më vonë. Në atë periudhë Baku çliroi disa qytete strategjike dhe pothuajse 300 vendbanime dhe fshatra nga pushtimi armen.

"Kjo mbështetje na dha forcë dhe moral shtesë", tha Bayramov.

Ndërsa ministri Meredov i Turkmenistanit përshëndeti takimin trepalësh, duke e quajtur atë si një "takim historik". Ai theksoi se Turqia dhe Azerbajxhani kanë mbështetur gjithmonë iniciativat e Turkmenistanit në arenën ndërkombëtare.

Ai po ashtu theksoi se tre "vendet vëllazërore" ndajnë një kulturë, histori, gjuhë dhe civilizim të përbashkët, duke shtuar se zyrtarët diskutuan mënyrat për të thelluar bashkëpunimin në këto zona.

Meredov shtoi se ekspertët po ashtu do të punojnë në përparimin e bashkëpunimit midis Turkmenistanit, Turqisë dhe Azerbajxhanit në energji, transport, teknologji, tregti dhe në fusha të tjera.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.