Ahmet Karaahmet,Mehmet Burak Karacaoğlu
02 Janar 2022•Përditësim: 03 Janar 2022
Një avion luftarak rus ka bombarduar duke lënë jashtë funksionit një prej stacioneve kryesore që siguron ujë për pjesën perëndimore të qytetit Idlib të Sirisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Observatori i opozitarëve për vëzhgimin e avionëve njoftoi se avioni luftarak Su-34 i Rusisë ka bombarduar stacionin e shpërndarjes dhe pompimit të ujit Arshani në afërsi të qendrës së qytetit Idlib.
Si pasojë e sulmit stacioni i ujit ka dalë jashtë përdorimit.
Sipas informacioneve nga Mbrojtja Civile (Beretat e Bardha) në Idlib, mësohet se në sulm është plagosur një civil.
Situata në Idlib
Turqia, Rusia dhe Irani, në takimin e zhvilluar në vitin 2017 në Astana vendosën formimin e 4 "zonave të deeskalimit" në territorin që nuk ndodhej nën kontrollin e regjimit të Asadit.
Por, forcat e regjimit dhe terroristët me mbështetje iraniane dhe Rusia vazhduan sulmet dhe morën nën kontroll 3 zonat e tjera të mbetura nga 4 rajonet dhe u drejtuan drejt Idlibit. Edhe pse Turqia dhe Rusia më 17 shtator 2018 në Soçi arritën marrëveshje shtesë për të forcuar armëpushimin, sulmet u intensifikuan sërish në maj 2019. Armëpushimi respektohet në masë të madhe pas marrëveshjes së re që Turqia siguroi me Rusinë më 5 mars 2020.
Në periudhën 2017-2020, rreth 2 milionë civilë për t'u larguar nga sulmet u detyruan të migrojnë në zonat pranë kufirit me Turqinë.