Ekip
21 Mars 2018•Përditësim: 21 Mars 2018
RIJAD (AA) – Prokurori i Përgjithshëm i Arabisë Saudite ka deklaruar se autoritetet saudite nuk do të ndalojnë së luftuari korrupsionin derisa ky fenomen të eliminohet plotësisht, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Dyert e zyrës së prokurorit publik mbeten të hapura për të gjitha autoritetet relevante në luftën kundër korrupsionit, edhe nëse vëzhgimet e tyre lidhen me vetë prokurorinë”, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga Prokurori i Përgjithshëm, Saud bin Abdullah al-Muajab.
Al-Mujab poashtu paralajmëroi plane për themelimin e një rrjeti të “zyrave të hetimit” në të gjithë mbretërinë të ngarkuar me shqyrtimin e akuzave të marrjes së ryshfetit.
Nëntorin e kaluar, autoritetet saudite burgosën disa njerëz në një fushatë gjithëpërfshirëse të “anti-korrupsionit”, duke përfshirë anëtarët e familjes mbretërore, ministrat e qeverisë dhe biznesmenët e profilit të lartë.
Megjithëse shumica prej tyre pastaj u liruan, thuhet se autoritetet siguruan mbi 400 miliardë rijalë sauditë (afërsisht 107 miliardë dollarë amerikanë) në marrëveshjet jashtë gjykatave.