ASK publikon rezultatet, Kosova ka 1.602.515 banorë
Sipas ASK-së, bashkë me komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, ku ky proces u bojkotua nga banorët, numri total i banorëve është vlerësuar të jetë 1.602.515 banorë rezidentë

Prishtinë
Agjencia e Statistikave e Kosovës (ASK), ka publikuar rezultatet e para përfundimtare të procesit të regjistrimit të popullsisë në vend, raporton Anadolu.
Sipas ASK-së, bashkë me komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, ku ky proces u bojkotua nga banorët, numri total i banorëve është vlerësuar nga ASK-ja të jetë 1.602.515 banorë rezidentë.
Sa i përket përbërjes etnike, shqiptarë janë deklaruar 91.76 për qind, serbë 2.31 për qind, boshnjakë 1.69 për qind, turq 1.22 për qind, ashkalinj 1.02 për qind, egjiptianë 0.67 për qind, goranë 0.58 për qind, romë 0.55 për qind dhe 0.19 për qind të tjerë.
Në numërimin e vitit 2011, 1.07 për qind u deklaruan se i përkasin komunitetit turk në vend.
Rezultatet e ASK-së tregojnë se mosha mesatare e femrave është 35.66 vjeç ndërsa e meshkujve 34.03 vjeç. Sa i përket strukturës fetare në vend, shifrat shfaqin një dominim të qytetarëve që janë deklaruar se i përkasin besimit islam.
Sipas rezultateve konkrete, 93.49 për qind janë deklaruar të besimit islam, 2.31 besimit ortodoks, 1.75 besimit katolik, të asnjë besimi janë deklaruar 0.5 për qind, ndërsa përgjigje për përkatësinë fetare nuk kanë dhënë 1.5 për qind derisa të besimeve tjera janë deklaruar 0.45 për qind.
Në këtë proces regjistrimi për herë të parë janë regjistruar edhe dëmet e luftës, ku bazuar në të dhënat e publikuara gjatë luftës janë vrarë 11.417 persona, të zhdukur janë 1.047 persona, të plagosur 6.682 persona dhe të burgosur 3.312.
Në anën tjetër shkalla rurale është zvogëluar nga 62 për qind sa ishte në vitin 2011 në 49.8 për qind në vitin 2024.
Sipas rezultateve për herë të parë popullsia urbane me koncentrim 50.2 për qind, e kalon atë rurale me 49.8 për qind dhe ky ndryshim sipas ASK-së tregon një lëvizje të popullsisë drejt zonave urbane.
Një rritje prej 21.5 për qind krahasuar me vitin 2011 kur është bërë regjistrimi paraprak, është shënuar po ashtu në numrin e ndërtesave, banesave dhe shtëpive.
"Numri i banesave të përgjithshme po ashtu është rritur shumë, krahasuar me vitin 2011, për 41 për qind, po ashtu dhe numri i banesave të zakonshme është rritur për 35 për qind. Kjo lë të kuptohet se ndërtimi në Kosovë, gjatë kësaj periudhe ka pasur një rritje masive", tha ushtruesi i detyrës së drejtorit të ASK-së, Avni Katrati, gjatë prezantimit të të dhënave.
Të dhënat tregojnë se në Kosovë popullsia ka dominim të madh të banesave në pronësi me 92.8 për qind, ndërsa numri i banesave me qira në forma tjera mbetet shumë i ultë, përkatësish 5.3 dhe 1.2 për qind.
Numri i ekonomive familjare është rritur për 69.505 apo për 23.4 për qind.
Në regjistrimin e vitit 2011 Kosova kishte 1.739.825 banorë apo rreth 140 mijë më shumë.