Büşra Nur Bilgiç
20 Maj 2019•Përditësim: 21 Maj 2019
Asambleja Botërore e Shëndetësisë sot u mblodh në Gjenevë për të diskutuar mbi çështjet që ndërlidhen me shëndetin, raporton Anadolu Agency (AA).
Takimi i 72-të i trupit më të lartë vendimmarrës të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) do të vijojë deri më 28 maj me pjesëmarrjen e rreth 4.000 përfaqësuesve nga 194 vende anëtare.
Në mesin e pjesëmarrësve janë përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, OJQ-ve, si dhe ministra të shëndetësisë.
Fahrettin Koca, ministri turk i Shëndetësisë, udhëheq me delegacionin turk në takimin që mbahet me temë “Shëndet për të gjithë: Të mos lëmë askënd prapa”.
Duke folur gjatë ceremonisë së hapjes, Alain Berset, presidenti i Konfederatës Zvicerane, nënvizoi se çdokush duhet të ketë qasje të barabartë në përkujdesjen shëndetësore.
Berset gjithashtu tha se e drejta për përkujdesje shëndetësore nuk mund të negociohet dhe i ftoi shtetet që të kenë vullnetin e përbashkët politik kundër çmimeve në rritje të përkujdesjes shëndetësore.
Asambleja do të trajtojë çështje të ndryshme, përfshirë shëndetin e civilëve në zonat e konfliktit, lufta kundër mbipeshës, shëndeti i refugjatëve dhe emigrantëve, parandalimi i sëmundjeve jo-ngjitëse, ndikimi në shëndet i ndotjes së ajrit, lufta kundër virusit Ebola, sëmundjeve infektuese dhe mungesën globale të barërave.