Sinan Uslu,Sarp Özer
28 Dhjetor 2016•Përditësim: 29 Dhjetor 2016
ANKARA (AA) - SİNAN USLU/SARP ÖZER
Vazhdon avancimi në qendrën e qytetit El Bab i cili gjendet i rrethuar në kuadër të operacionit "Mburoja e Eufratit". Që nga dita e fillimit të operacionit në El Bab e deri më tani, nga ajri dhe toka janë gjuajtur mbi 2.700 objektiva të DEASH-it, raporton Anadolu Agency (AA).
Operacioni "Mburoja e Eufratit" i cili filloi më 24 gusht kundër objektivave terroriste në veri të Sirisë, ka arritur në ditën e tij të 127-të. Në kuadër të operacionit, nga terroristët është pastruar sipërfaqe prej dy mijë kilometrash katrorë, ndërsa nën kontroll janë marrë 225 lagje të banuara.

Ndërkaq, aktivitetet për pastrimin e El Bab-it nga terroristët vazhdojnë prej afërsisht një viti e gjysmë. Në këtë drejtim, pas rrethimit të qytetit, janë realizuar fluturime detektimi me fluturake pa pilotë, ndërsa më pas objektivat terroriste në El Bab dhe rrethinë janë goditur me obusë Fırtına dhe aeroplanë luftarakë.
Me luftimet e mëvonshme, u intensifikua operacioni për pastrimin e El Bab-it nga organizata terroriste DEASH. Në operacion, njësitet e Forcave të Armatosura Turke (TSK) ofruan mbështetje të madhe ajrore dhe tokësore për njësitet Ushtrisë së Lirë Siriane (ULS).
Që nga dita e fillimit të operacionit në El Bab e deri më tani, nga ajri dhe toka janë gjuajtur mbi 2.700 objektiva të DEASH-it. Si rezultat i goditjeve, janë asgjësuar shumë objektiva, në mesin e të cilave ndërtesa të selive, depo municionesh, strehimore, pozicione mbrojtëse, qendra të komandës dhe kontrollit, si dhe autobomba.
Në kuadër të operacionit janë asgjësuar po ashtu 391 terroristë të DEASH-it, në mesin e të cilëve ka pasur udhëheqës të lartë, ndërsa janë vrarë 26 pjesëtarë të PKK/PYD-së.
Ekipet e detektimit dhe asgjësimit të materialeve shpërthyese, të cilët ofrojnë mbështetje për opozitarët në zonat e pastruara nga organizata terroriste DEASH, në El Bab dhe rrethinë kanë asgjësuar 400 mjete shpërthyese artizanale, katër autobomba dhe tri mina.
Në luftimet që kanë ndodhur gjatë operacionit për pastrimin e El Bab-it nga terroristët, 24 opozitarë kanë rënë dëshmorë, ndërsa 157 janë plagosur. Të paktën 30 civilë që janë përpjekur të ikin nga El Bab kanë humbur jetën si pasojë e minave ose sulmeve me mjete shpërthyese artizanale të organizatës terroriste DEASH.
Në kuadër të operacionit i cili po zhvillohet nën kushte të vështira, si moti i ftohtë dhe mjegulla, aeroplanët e Komandës së Forcave Ajrore kanë hedhur shumë njoftime në mënyrë që civilët në El Bab dhe rrethinë të mos ndikohen nga luftimet dhe të parandalohen humbjet në jetë dhe pasuri të njerëzve të pafajshëm.
Përmes këtyre njoftimeve është kërkuar largimi i civilëve nga zonat ku gjenden njësitet e organizatës terroriste DEASH dhe transferimi i tyre në zona të sigurta.