Mustafa Deveci
14 Nëntor 2019•Përditësim: 14 Nëntor 2019
Numri i personave të vrarë në sulmet ajrore që ushtria izraelite ka ndërmarrë në Rripin e Gazës nën bllokadë është rritur në 23, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim, Ministria palestineze e Shëndetësisë njoftoi se janë gjetur edhe 2 trupa të pajetë në sulmet izraelite të cilat kanë përfunduar me armëpushimin e arritur mëngjesin e sotëm në orën 05:00 sipas kohës lokale.
Teksa nuk është dhënë informacioni lidhur me identitetin e personave të vdekur, në deklaratë thuhet se për shkak të sulmeve izraelite të zhvilluara që nga dita e martë e deri më sot është rritur në 34 numri i personave që kanë humbur jetën, nga të cilët 6 janë fëmijë dhe 3 gra.
Më tej thuhet se si pasojë e sulmeve izraelite janë plagosur edhe 110 persona të tjerë, përfshirë gra dhe fëmijë.
Në Gaza mbizotëron qetësia
Në Gaza mbizotëron qetësia pas tensioneve të shënuara prej dy ditësh dhe të cilët përfunduan me armëpushimin e arritur mëngjesin e sotëm.
Ushtria izraelite ka njoftuar se pas armëpushimit, nga Gaza janë lëshuar disa raketa, por se që nga ora 07:30 sipas kohës lokale nuk është shënuar ndonjë sulm që mund të prishë armëpushimin.
Mëngjesin e së martës ushtria izraelite njoftoi se është kryer një sulm në shtëpinë e Baha Abu al-Atta një nga komandantët e Al-Quds, krahut ushtarak të grupit Xhihadi Islamik në lindje të Gazës ku si pasojë humbën jetën Baha Abu al-Atta dhe bashkëshortja e tij Asmaa Abu al-Atta.
Pas këtij sulmi situata në rajon u përshkallëzua ku grupi Xhihadi Islamik iu kundërpërgjigj me goditje raketore sulmit izraelit.
Ushtria izraelite prej dy ditësh ka kryer sulme ndaj objektivave të grupit Xhihadi Islamik në Gaza i cili ka lëshuar rreth 360 raketa në anën e Izraelit.
Xhihadi Islamik njoftoi se rreth orës 05:00 sipas kohës lokale hyri në fuqi armëpushimi i arritur me Izraelin me ndërmjetësimin e Egjiptit.