Ayhan Şimşek
21 tetor 2017•Përditësim: 22 tetor 2017
MYNIH (AA) – Policia gjermane bëri të ditur se ka arrestuar personin e dyshuar për sulm me thikë, në të cilin sot në mëngjes në Mynih u plagosën katër persona, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Kemi arrestuar të dyshuarin, por ende nuk e dimë nëse ai është kryerësi”, tha Markus da Gloria Martins, zëdhënës i policisë së Mynihut.
Sipas informacioneve të policisë askush nga të plagosurit nuk ka pësuar plagë të rrezikshme për jetën. Më herët policia e Mynihut iu bëri thirrje banorëve të rajonit Rosenheimer Platza të mos dalin jashtë, pas incidentit që ndodhi sot në mëngjes, meqë sulmuesi është larguar nga vendi i ngjarjes.
Sulmi në Mynih nuk lidhet me terrorizmin
Policia gjermane thotë se i dyshuari nuk ka dashur të shpalos asnjë informacion për motivet e sulmit, për të shtuar se janë të mendimit se sulmi nuk është i lidhur me terrorizëm.
Shefi i policisë së Mynihut, Hubertus Andrae, tha se nuk ka asnjë tregues se sulmuesi ka qenë një ekstremist i cili mund të ketë kryer sulmin për motive politike apo fetare.
Ai shtoi se zyrtarët besojnë se i dyshuari, i cili ka qenë i njohur në polici, ka probleme të natyrës psikologjike. Sulmuesi u arrestua tre orë pasi sulmoi me thikë tetë persona në Mynih.
Rreth 500 policë u përfshinë në operacionin për kapjen e tij.