Nezir Aliyev
08 Gusht 2019•Përditësim: 09 Gusht 2019
Ish-presidenti i Kirgistanit, Almazbek Atambayev, është arrestuar nga forcat e sigurisë. Për herë të dytë forcat e sigurisë filluan operacion ndaj shtëpisë së ish-presidentit, Almazbek Atambayev, duke e arrestuar atë, raporton Anadolu Agency (AA).
Forcat e sigurisë në orët e drekës kanë ardhur para shtëpisë së Atambayev, në fshatin Koy-Tash të rajonit Çuy në jug të kryeqytetit Bishkek.
Sipas dëshmitarëve okularë, gjashtë pjesëtarë të forcave të sigurisë të cilët mbrëmë janë marrë peng janë liruar dhe forcat e sigurisë kanë hyrë në tokën ku gjendet shtëpia e Atambayev me shok bomba.
Në pamjet që janë publikuar në rrjetet sociale mund të vërehet se qindra mbështetës, në mesin e të cilëve shumë gra i rezistuan forcave të sigurisë pranë shtëpisë së Atambayev para operacionit.
Policia me fillimin e operacionit ka mbyllur të gjitha rrugët që shkojnë në fshatin Koy-Tash, ndërsa nuk lejoi hyrjen e këmbësorëve dhe automjeteve në rajonin ku gjendet shtëpia e ish-presidentit.
Në rajon gjithashtu janë ndërprerë sinjalet telefonike dhe të internetit. Mes qytetarëve dhe policisë kohë pas kohe ndodhën përplasje.
"Ky nuk është debat i dy personave"
Nga ana tjetër presidenti aktual, Sooronbay Ceenbekov, mbajti një fjalim në kuvend në një sesion të jashtëzakonshëm nën kryesimin e kryetarit të kuvendit, Dastanbek Cumabekov.
"Ky nuk është debat i dy personave. Kjo është një betejë ligjore me një vullnet të veçantë që vendos interesat personale mbi interesat e shtetit", theksoi ai.
Vritet një oficer sigurie
Në operacionin që ndodhi ndaj Atambayev dhe mbështetësve të tij, humbi jetën një oficer, ndërsa drejtori i policisë rajonale ishte në gjendje kome.
Numri i të plagosurve gjatë bastisjes është 45, prej të cilëve 25 janë nga forcat e sigurisë.
Më 27 qershor i ishte hequr imuniteti i ish-presidentit
Imuniteti i ish-presidentit Atambayev, ishte hequr më 27 qershor nga kuvendi.
Operacioni ndaj shtëpisë së Atambaye ishte kryer pasi ishte vendosur që të arrestohet për të marrë dëshmi në kuadër të hetimit për lirimin e jashtëligjshëm të liderit të mafias Aziz Batukayev në vitin 2013.
Forcat e sigurisë në mëngjes kishin ndërprerë operacionin dhe ishin larguar nga zona.
Atambayev ishte presidenti i vendit mes viteve 2011-2017.