Hakan Çopur
01 Dhjetor 2018•Përditësim: 02 Dhjetor 2018
WASHINGTON (AA) - Deklarata përfundimtare e Samitit të Liderëve të G20-tës, i cili u mbajt në Argjentinë, ka theksuar nevojën për vijimin e rendit ndërkombëtar në përputhje me rregullat, zbatimin e njëjtë të Marrëveshjes Klimatike të Parisit përkundër kundërshtimit të SHBA-ve dhe reformimin e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT), transmeton Anadolu Agency (AA).
Deklarata përfundimtare u publikua në ditën e dytë dhe të fundit të samitit, i cili u realizua në kryeqytetin argjentinas, Buenos Aires.
Në deklaratë bëhet e ditur se gjatë samitit në mënyrë të detajuar janë trajntuar tema si bashkëpunimi i ardhshëm, infrastruktura për zhvillim, strategjia e ushqimit të qëndrueshëm dhe barazia gjinore.
Thirrje për reforma në OBT
Deklarata, e cila përbëhet nga 31 pika dhe e cila vë theksin kryesisht mbi rendin ekonomik ndërkombëtar, ka potencuar rëndësinë e të siguruarit që rendi ndërkombëtar të drejtohet në përputhje me rregullat.
Duke vënë në dukje se rregullat ndërkombëtare të tregtisë nuk duhet t'i vënë vendet në disavantazh, deklarata theksoi se disa funksione të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) kanë qenë të pamjaftueshme dhe të njëjtat duhet të reformohen.
SHBA nuk mbështeti pikën rreth ndryshimeve klimatike
Në deklaratë thuhet se Marrëveshja e Klimës e Parisit është "e pakthyeshme", ndërsa është riafirmuar rëndësia e zbatimit të plotë të saj dhe luftimit të ndryshimeve klimatike.
Në pikën vijuese të deklaratës, SHBA ka qëndruar prapa vendimit për t'u tërhequr nga Marrëveshja e Klimës e Parisit dhe ka deklaruar se do të përdorë të gjitha burimet e energjisë në mënyrë efikase, duke "e ruajtur mjedisin".
Kështu, vetëm SHBA nuk mbështeti pikën mbi ndryshimet klimatike.
Dënohen të gjitha format e terrorit
Deklarata përfundimtare gjithashtu ka dënuar fuqishëm të gjitha llojet e terrorizmit, duke qëndruar prapa zotimit të bërë gjatë Samitit të G20-tës në Hamburg në lidhje me luftën kundër terrorizmit.
Në pikën e fundit të deklaratës, është vendosur që Samiti i G20-tës në vitin 2019 të mbahet në Japoni, ndërsa ai i vitit 2020 në Arabinë Saudite.