Ekip
28 nëntor 2019•Përditësim: 29 nëntor 2019
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) sot ka njoftuar se ka riatdhesuar 128 rebelë të burgosur të Huthive nga Arabia Saudite në kryeqytetin jemenas Sana, i cili kontrollohet nga Huthit që nga viti 2014, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Ne po riatdhesojmë 128 të arrestuar nga Mbretëria e Arabisë Saudite në Sana", tha KNKK në llogarinë e saj në Twitter.
Komiteti Ndërkombëtar përshëndeti iniciativën saudite duke thënë: "Mirëpresim këtë iniciativë dhe jemi të kënaqur kur shohim se merren parasysh konsideratat humanitare për hir të familjeve që presin që të dashurit e tyre të kthehen në shtëpi".
Sot më herët i dërguari i posaçëm i OKB-së për Jemenin, Martin Griffiths falënderoi Arabinë Saudite për njoftimin e saj për lirimin e "200 Huthive" dhe hapjen e aeroportit në Sana për fluturime humanitare që do t'i lejonte jemenasit të marrin trajtime shumë të nevojshme mjekësore jashtë vendit.
Megjithatë, nuk jepet asnjë informacion tjetër për kohën e lirimit të pjesës tjetër të të ndaluarve.
Jemeni është zhytur në një dhunë dhe kaos që nga viti 2014, kur rebelët Huthi pushtuan pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana. Kriza u përshkallëzua në vitin 2015 kur koalicion ushtarak i udhëhequr nga Arabia Saudite filloi fushatën shkatërruese ajrore që synonte të parandalojë pushtimin e territoreve nga Huthit.
Sipas OKB-së, që nga ajo kohë dhjetëra mijëra jemenas, përfshirë shumë civilë, besohet të jenë vrarë në konflikt ndërsa 14 milionë të tjerë rrezikohen nga uria.