Kerem Kocalar
29 Mars 2017•Përditësim: 29 Mars 2017
GAZIANTEP/HALEP (AA) - Krimet mizore dhe brutale të terroristëve të DEASH-it janë të dukshme në çdo vend në qytetin e çliruar sirian të Al Bab-it, ku civilët e kthyer nën rrënoja po kërkojnë të dashurit e tyre të cilët terroristët gjatë përleshjeve i kanë përdorur si mburojë e gjallë, raporton Anadolu Agency (AA).
Forcat e opozitës së moderuar siriane, me mbështetjen e forcave turke kohët e fundit çliruan Al Bab-in i cili ishte në duar të terroristëve të DEASH-it gati tre vite, kurse refugjatët vazhdojnë të kthehen në qytet dhe po përpiqen të vazhdojnë të jetojnë në lagjet e shkatërruara krejtësisht.
Edhe pse me gëzim e pritën lajmin për çlirimin e qytetit nga terroristët dhe mundësinë për t'u kthyer në shtëpitë e tyre, banorët e Al Bab-it hasën në skena të tmerrshme të shkatërrimit nën të cilat po kërkojnë trupat e të dashurve të tyre të cilët u vranë në krimet e DEASH-it.
Situatë e ngjashme ka ndodhur edhe me të kthyerit në qytetin Jarabulus i cili më parë u çlirua nga terroristët.
Autoritetet kompetente dhe aktivistët në Al Bab tashmë janë organizuar vetë dhe me makineri ndërtimore janë duke u përpjekur që të heqin rrënojat nën të cilat ndodhen me qindra mbetje mortore të civilëve të vrarë.
Mahmoud Mustafa, njëri nga banorët për AA tha se nën rrënoja është duke kërkuar trupin e motrës dhe dy fëmijëve të tij që kishin mbetur në qytet dhe të cilëve që atëherë u ishte humbur çdo gjurmë.
"Terroristët kanë vrarë një numër të madh të civilëve. Në mënyrë që të mbrohen në këto ndërtesa kanë mbajtur civilët si mburojë e gjallë", ka thënë Mustafa, duke shtuar se dëshira e tij e vetme është që të gjej trupat e dashurve të tij dhe ti varros ata.
Po ashtu edhe Yusuf Muhamed mallkon terroristët të cilët i kanë marrë nga dhe i kanë shkatërruar çdo gjë kishte.
"Duam t'u tregojmë të gjithëve se sa mizorë janë këta terroristë. Askush nuk duhet t'u besojë. Ata nuk kanë kurrfarë lidhje me Islamin. Ne jemi të lumtur me lajmin se në Turqi kemi miq të cilët kanë ndihmuar në çlirimin e qytetit dhe që do të ndihmojë në rindërtimin dhe ndërtimin e një të ardhme më të mirë këtu", tha Muhammad.