Bayram Altuğ
02 Korrik 2017•Përditësim: 03 Korrik 2017
CRANS-MONTANA (AA) – Presidenti i Republikës Turke të Qipros Veriore, Mustafa Akıncı tha se java e ardhshme do të jetë shumë e rëndësishme për shkak të vazhdimit të negociatave mbi çështjen e Qipros, sepse pritet të merren vendime të rëndësishme në lidhje me mosmarrëveshjet rreth Qipros, raporton Anadolu Agency (AA).
Nën patronazhin e Kombeve të Bashkuara, bisedimet mbi çështjen e Qipros filluan më 28 qershor në qytetin zviceran Crans-Montana, kurse sot në këtë qytezë të Alpeve ka pauzë para vazhdimit të nesërm të negociatave. Moderatorë i takimit është këshilltari dhe i dërguari i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Qipron Espen Barth Eide, ku po marin pjesë kryediplomatët e Turqisë dhe Greqisë Mevlüt Çavuşoğlu dhe Nikos Kotzias. Delegacioni i Qipros Jugore kryesohet nga Nikos Anastasiades.
Kreu i delegacionit të Qipros Veriore Akıncı sot ka deklaruar se konferenca aktuale është vendimtare dhe se të gjitha palët duhet të veprojnë në mënyrë konstruktive për hir të një të ardhme më të mirë të njerëzve në ishull.
Ai tha se të premten negociatorët kanë pranuar propozimin për të diskutuar rreth pakos të temave që kanë të bëjnë me çështjen e Qipros, ku Turqia ka bërë lëshime në lidhje me atë se më parë ka mbështetur negociata veç e veç për të gjitha çështjet.
"Qëllimi i vetëm është që të arrijmë marrëveshjen më të mirë për brezat e ardhshëm në Qipro. Prandaj, jemi shumë të fokusuar dhe optimist. Ne jemi këtu që t'i sigurojmë një të nesërme më të mirë popullit turk në Qipro dhe të gjithëve në ishull. Shpresoj se edhe pala tjetër në negociata do të tregojë vendosmërinë e njëjtë", ka thënë Akıncı.
Negociatat kanë për qëllim ribashkimin e Qipros së ndarë në një njësi federale, dhe kjo zgjidhje do të përcaktojë në masë të madhe marrëdhëniet e ardhshme të Turqisë me Bashkimin Evropian.
Kreu i diplomacisë turke Çavuşoğlu më parë pati deklaruar se delegacioni turk ka ardhur me qëllim të arritjes së një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme dhe se negociatat nuk mund të zgjasin përgjithmonë.
Ai tha se çështjet e sigurisë dhe garancitë në Qipro janë thelbësore dhe të domosdoshme për Turqinë.
Përpjekja e fundit për bashkimin e Qipros përfundoi pa sukses në vitin 2004, kur votuesit në Qipron jugore në një referendum refuzuan të pranojnë planin e propozuar nga ish-Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan.
Ishulli i Qipros u nda në vitin 1974, me shpërthimin e një grusht shteti ushtarak në pjesën jugore greke të Qipros, e cila u shoqërua me një përpjekje për persekutimin e qipriotëve turq dhe kjo ishte arsyeja për ndërhyrje ushtarake të Turqisë si vend garantues i paqes në ishull.
Që atëherë u themeluan Qiproja e Jugut, e cila është anëtare e Bashkimit Evropian dhe Republikën Turke e Qipros Veriore. Turqia ka ruajtur prani ushtarake në ishull, si garantues i paqes dhe stabilitetit. Autoritetet aktuale të të dy pjesëve të Qipros dhe delegacionet e Turqisë dhe Greqisë janë duke punuar në krijimin e një plani për bashkimin e Qipros në një njësi federale.