Airbnb paditet në Francë për qiratë në Bregun Perëndimor të pushtuar
JURDI akuzon platformën Airbnb për mbështetjen e krimeve të luftës duke listuar pronat në territoret e pushtuara në Bregun Perëndimor
Stamboll
Shoqata e Juristëve për Respektimin e së Drejtës Ndërkombëtare (JURDI) në Francë ka paditur kompaninë Airbnb për listimin e pronave në territoret palestineze të pushtuara nga Izraeli në Bregun Perëndimor, transmeton Anadolu.
JURDI, një grup jofitimprurës në Francë që mbron të drejtën ndërkombëtare në lidhje me konfliktin Izrael-Palestinë, akuzon platformën Airbnb për mbështetjen e krimeve të luftës duke listuar pronat në territoret e pushtuara në Bregun Perëndimor dhe kërkon nga gjykata që të urdhërojë kompaninë të heq listat e pronave në vendbanimet izraelite.
“Duke ofruar këto akomodime, Airbnb kontribuon në normalizimin dhe përjetësimin e regjimit kolonial, duke u siguruar burime financiare kolonëve dhe duke legjitimuar praninë e tyre”, tha shoqata në padinë e saj, fragmente të së cilës u panë nga BFMTV.
Avokatja Helene Massin-Trachez, e cila po drejton çështjen, tha se ligji francez ndalon ofrimin e kontratave që shkelin rendin publik, duke argumentuar se Airbnb po bën pikërisht këtë duke promovuar marrëveshje të paligjshme të qirasë për klientët me bazë në Francë.
Një seancë paraprake dëgjimore është planifikuar për 13 janar dhe nëse gjykata vendos në favor të shoqatës JURDI, Airbnb do të ketë tetë ditë për t’u pajtuar përpara se të përballet me një gjobë prej 5 mijë eurosh për çdo ditë vonesë.
Kompania mbrojti veprimet e saj kur u kontaktua nga BFMTV, duke mohuar fitimet nga situata ndërkombëtare dhe u zotua se do të mbetet e përkushtuar për të adresuar secilën prej situatave "me kujdesin më të madh".
Muajin e kaluar, Lidhja Franceze për të Drejtat e Njeriut (LDH) paraqiti një ankesë kundër platformave Airbnb dhe booking.com për listimin e pronave në vendbanimet izraelite në territoret palestineze.
Padia i akuzon këto kompani për bashkëpunim dhe fshehje të rëndë të krimeve të luftës, duke theksuar se platformat promovojnë "turizmin e pushtimit" duke ofruar lista në vendbanimet izraelite.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
