Ekip
11 Korrik 2021•Përditësim: 12 Korrik 2021
Qeveria Afgane tha se ka instaluar dhe aktivizuar një sistem të ri të mbrojtjes ajrore në kryeqytetin Kabul për të penguar çdo sulm raketor, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Ky është sistemi më i përdorur në botë për zmbrapsjen e raketave", tha Ministria e Brendshme në një deklaratë, duke shtuar se forcat afgane të sigurisë janë të gatshme të mbrojnë popullatën dhe territorin e tyre me çdo kusht.
I rrethuar nga male të larta dhe shkëmbore, kryeqyteti i Afganistanit pa dalje në det ka qenë i ekspozuar ndaj sulmeve me raketa përgjatë historisë së tij moderne të trazuar.
Shpërthime të shumta të bombave magnetike dhe sulme me raketa tronditën Kabulin më 21 nëntor, 2020, duke vrarë të paktën tetë persona dhe duke plagosur mbi 30 të tjerë.
Më parë, raketa të shumta goditën enklavën diplomatike shumë të ruajtur gjatë festimeve të Ditës së Pavarësisë. Sipas ministrisë, të paktën dhjetë persona u plagosën nga 14 raketa të hedhura nga dy makina.
Sulmi shkaktoi ndërprerje të transmetimit të drejtpërdrejtë nga transmetuesi shtetëror RTA të festimeve të profilit të lartë.
Në mars të të njëjtit vit, sulme të ngjashme me mortaja prishën shkurtimisht ceremoninë e betimit të presidentit Ashraf Ghani.
Në një zhvillim të tjetër, ministria pretendoi vrasjen e 18 kryengritësve talibanë në një ofensivë të përbashkët të kryer nga Forcat Afgane të Mbrojtjes dhe Sigurisë në provincën Ghazni.
Luftimet intensive midis forcave afgane dhe talibanëve vazhdojnë në vazhdën e tërheqjes së trupave të huaja. Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se misioni ushtarak amerikan në Afganistan do të përfundojë më 31 gusht.