Bota

Abdullah Hamdok, kryeministër i ri i Sudanit

Hamdok, i cili është një ekspert i ekonomisë ndërkombëtare, është kryeministri i parë civil i Sudanit që nga viti 1989, kur presidenti i rrëzuar Omer Al-Bashir rrëzoi kryeministrin e zgjedhur Sadiq al-Mahdi

Mahmoud Barakat  | 22.08.2019 - Përdıtësım : 22.08.2019
Abdullah Hamdok, kryeministër i ri i Sudanit ( Mahmoud Hjaj - Anadolu Agency )

Khartoum

Abdullah Hamdok u betua si kryeministër i Sudanit gjatë periudhës kalimtare në vend, raporton Anadolu Agency (AA).

Ceremonia u mbajt në prani të gjeneralit Abdel Fattah al-Burhan, kryetar i Këshillit Sovran të vendit, i cili gjithashtu u betua të mërkurën dhe do të drejtojë vendin gjatë një periudhe trevjeçare kalimtare.

Duke folur para gazetarëve, Hamdok tha se përparësia e qeverisë së tij do të jetë "të ndalojë luftën në vend, të arrijë paqe të qëndrueshme dhe të merret me situatën ekonomike".

Hamdok, i cili është një ekspert i ekonomisë ndërkombëtare, është kryeministri i parë civil i Sudanit që nga viti 1989, kur presidenti i rrëzuar Omer Al-Bashir rrëzoi kryeministrin e zgjedhur Sadiq al-Mahdi.

Këshilli Sovran u formua në bazë të marrëveshjes për ndarjen e pushtetit midis Këshillit Ushtarak Kalimtar të Sudanit (TMC) dhe koalicionit opozitar Forcat për Liri dhe Ndryshim (FFC).

Ai përbëhet nga pesë pjesëtarë ushtarakë të emëruar nga TMC, pesë civilë nga FFC, si dhe një kandidat civil i dakorduar midis dy palëve.

Gjenerallejtënant Abdel Fattah al-Burhan do të udhëheqë këshillin prej 11 anëtarësh për 21 muaj, ndërsa më pas do të zëvendësohet nga një civil që do të drejtojë këshillin për një periudhë 18-mujore, e cila do të pasohet nga zgjedhjet.

Presidenti i larguar Omar al-Bashir u hoq nga pushteti nga ushtria në prill pas disa muajsh protestash kundër sundimit të tij 30-vjeçar.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın